Cikloni Moka godet Mianmarin, të paktën 41 viktima dhe 100 të zhdukur

Botë | 3 vite më parë

Të paktën 41 njerëz kanë humbur jetën nga cikloni Mocha në shtetin Rakhine të Mianmarit, ndërsa zyrtarët kanë paralajmëruar se numri i viktimave pritet të jetë më i madh për shkak se 100 njerëz rezultojnë të zhdukur.

Me erëra deri në 195 kilometra në orë, cikloni më i fortë që është regjistruar në rajon në më shumë se një dekadë, Mocha, goditi të dielën Sittwe, kryeqytetin e shtetit Rakhine dhe Cox’s Bazar në Bangladesh, ku janë strehuar qindra mijëra refugjatë myslimanë Rohingya.

Sipas OKB-së, problemet me telekomunikacionin nuk lejojnë ende një vlerësim të shkallës së dëmit në shtetin Rakhine, ku kryesisht jetojnë anëtarë të minoritetit Rohingya.

“Informacionet e para sugjerojnë se dëmi është serioz,” tha të dielën në mbrëmje Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).

Në Bangladesh, ku autoritetet evakuuan 750,000 njerëz nga shtëpitë e tyre, një zyrtar qeveritar siguroi se nuk kishte të vdekur nga cikloni.

Ndërkohë në kampet e improvizuara Rohingya, ku gati një milion njerëz jetojnë në strehim të improvizuar, dëmet janë gjithashtu të kufizuara dhe nuk ka pasur viktima.

Në nëntor 2007, cikloni Sidr vrau më shumë se 3000 njerëz dhe shkaktoi miliarda dollarë dëme./ CNN.gr

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme