Çmimet e larta në bregdet, Rama: Dhërmiut e Vlorës u ka rënë dielli në kokë, i kanë më shtrenjtë se Greqia e Turqia

Çmimet e larta në bregdetin e jugut ka sjellë reagimin e kryeministrit Edi Rama, i cili thotë se Vlorës dhe Dhërmiut i ka rënë ‘dielli në kokë’ që i çojnë çmimet më të larta se në Greqi dhe në Turqi. Duke iu përgjigjur dhe ankesave të tyre se ka rënë fluksi i turistëve, Rama thotë se me çmimet jashtë normales kjo gjë është e pritshme.
Kryeministri u shpreh se Dhërmiu e Vlora janë pika në zemrën e konkurrencës europiane që është Mesdheu dhe se për këtë duhet të mësojnë se si të përthithin turistë dhe jo të abuzojnë, por të rrisin cilësinë e shërbimeve të tyre.
“Niveli i pastrimit është si nata me ditën me vitin e shkuar dhe për shkak të programit të ri që ka bërë qeveria dhe mbështet drejt për drejt Durrësin dhe Kavajën. Edhe në raport me fluksin e jashtëzakonshëm të turistëve. Këtu vlen të vendoset pasqyra përballë të gjithë që janë të interesuar, përballë atyre që kanë infrastruktura hoteliere mes Durrësit dhe Vlorës. Mes Kavajës dhe Dhërmiut. Mes Shëngjinit dhe Drimadhës. Janë dy botë, të parët vazhdojnë rrisin kapacitet, cilësinë e ofertës, rrisin numrin e turistëve. Të dytët ju ka ndodhur një rënie e diellit në kokë e s’kanë marrë në konsideratë faktin se Vlora, Dhërmiu, Drimadha, dhe ndonjë pikë tjetër, pasi Himara është përsëri më mirë, nuk janë ishull i vetmuar në mes të shkretëtirës së Saharasë, por janë pika në zemrën e konkurrencës europiane që është Mesdheu. Këtu poshtë në Adriatik e Jon, jemi në mes të lubive të kësaj konkurence dhe ndërkohë që Turqia, Greqia në Korrik ofrojnë çmime të arsyeshme në Dhërmi, Vlorë, i çojnë çmimet mbi Turqi e Greqi në korrik e thonë pse s’ka turistë? Si do i kesh? Nëse qershori ishte pozitiv, korriku rriten çmimet e rrinë e ngulin e shkulin çadrat me një grusht njerëzit atje. Është e kundërta me Durrësin, ku po rritet cilësia e turistit dhe është hapur kanali me vendet nordike, krahas atyre të Evropës qendrore”, tha Rama.
Abuzimi me çmimet në bregdetin e jugut është denoncuar shpesh nga qytetarët shqiptarë. Për shkak të krizës ekonomike dhe abuzimit me çmimet në bregdet, duket se në jug ka një rënie të fluksit të turistëve, që ka sjellë shqetësimin e bizneseve atje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




