Çmimi i energjisë, Tabaku akuza qeverisë: Rritja, e panevojshme! Po luhet me shqiptarët para zgjedhjeve

Qeveria nuk ka marrë ende një vendim nëse do të nisë aplikimin në nëntor të fashës mbi 800 kWh për familjarët dhe biznesin e vogël, ndërsa deputetja demokrate, Jorida Tabaku, e konsideron këtë si “lojë me shqiptarët” para zgjedhjeve vendore.
Gjatë intervistës për gazetaren Elona Meço në emisionin “Pa Censurë”, Tabaku u shpreh se rritja e çmimit të energjisë është e panevojshme, pasi sistemi energjetik ka marrë nga buxheti më shumë se çdo sektor tjetër.
Pjesë nga intervista:
Elona Meço: Këto ditë në parlament po diskutohet buxheti dhe disa ligje të paketës fiskale. Si përkthehet ky akt financiar në një gjuhë të thjeshtë? Vitin e ardhshëm do të kemi më pak para apo më shumë?
Jorida Tabaku: Që do të kenë më pak para është e sigurt me qeverisjen sociialiste. Problem është se sa më pak. Jemi në një vit të vështirë krize, që duhet ta njohim, ka ardhur edhe nga faktorë të jashtëm, por Shqipëria po e ndien më shumë krizën edhe si rezultat i dinamikave të brendshme. Që në shtatorin e vitit të kaluar, pa nisur lufta, ne kishim një rritje të çmimeve, rritje të inflaconit, rritje të kostos së prodhimit, rënies së konsumit. Me luftën këto janë rritur edhe më shumë, sepse Shqipëria është e ekspozuar me tregtinë e jashtme. Të ardhurat shtesë në buxhet nga taksat e rritura, nga gjobat apo struktura aktuale e ekonomisë, parashikohet që do të jenë 380 milionë euro shtesë, ku 130 milionë do të vijnë nga taksat e reja. Gjykoj që në një vit krize qeveria nuk duhet të ndërmerrte reforma që, së pari dëmtojnë qytetarët dhe shtresën e mesme dhe, së dyti, nuk duhet të vinte në diskutim që të pezullonte dhe të ndalonte kontratat korruptive dhe jo në funksion të krizës. Jemi e vetmja ekonomi që nuk ka një paketë për krizën në mes të krizës.
Elona Meço: Fakt është që qeveria nuk po e rrit çmimin e energjisë dhe kjo është një mbrojtje për konsumatorët.
Jorida Tabaku: Duhet të falenderojmë që shtyu rritjen e çmimit të energjisë? Shqipëria ka çmimin më të lartë të energjisë elektrike jo vetëm në rajon. Kjo rritje ndodhi në 2015. Buxheti i shtetit po angazhon mbi 500 milionë euro përsa i përket sektorit. Sektori ka patur abuzime pafund. Qeveria duhet të jetë e përgjegjeshme dhe jo të lërë qytetarët deri në fund të muajit për t‘u thënë çfarë do të bëjë, do të rritet apo jo çmimi dhe pasatj të dalin si çlirimtarë në fund të muajit dhe ne ta falenderojmë. Kjo është për mua një mënyrë abuzive propagandistike.
Elona Meço: Ka diçka elektorale në këtë mes?
Jorida Tabaku: Sigurisht që ka diçka elektorale. Zgjidhësit e krizës së pandemisë, të rindërtimit do ta zgjidhin patjetër dhe luftë në Ukrainë. Sistemi energjitik ka marrë nga buxheti më shumë se çdo sektor tjetër. Është sektori që ka abuzimet më të mëdha. Ne nuk mundet që krizën e korrupsionit në këtë sektor ta çojmë në krizë të familjeve shqiptare. Aq sa ka angazhuar buxheti, është e panevojshme që të rritet çmimi i energjisë elektrike.
Elona Meço: Nga disa shifra që kam parë nuk është më i larti, por faktet janë që pensionet janë indeksuar pak më shumë se inflacioni. Një paketë ndihme është dhënë, disa paga janë rritur. Mendoni se qeveria ka parà, por nuk do që të japë më shumë për njerëzit?
Jorida Tabaku: Qeveria shqiptare, siç e pranoi kryeministri në parlament, nuk ka patur një paketë ndihme për krizën, por tha se po i bën këto nd ryshime në buxhet. Në total janë 50 milionë uro. Ndërkohë që janë marrë nga xhepat e qytetarëve shqiptarë, vetëm si rezultat i rritjes së çmimeve, reth 400 milionë euro vetëm në 6 mujorin e parë. Qeveria po tregohet konservatore aty ku nuk duhet. Ka rritur pensionet me 6%, ndërkohë çmimet janë rritur 15% sipas INSTAT-it, 30% i shportës. Pra, i ka rritur me 30 lekë në ditë. Ju mund t’i bëni llogaritë vetë se çfarë mund të blesh me 30 lekë të reja në ditë. E njëjta gjë edhe me shtresat sociale, ndërkohë që për kompanitë që kanë marrë tendera dhe koncesione, paketa që u ka shkuar atyre është 80 milionë euro. Pra 50 milionë euro për 2.8 milionë shqiptarë dhe 80 milionë kanë marrë 12 kompanitë që kanë marrë tenderat. Qytetarët e kuptojnë se kush ka prioritet për qeverinë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




