Debatet kundër Bregoviç, Rama: Një histeri fashiste për qytetarinë evropiane të shqiptarëve

Politikë | 5 vite më parë

Debatet dhe incidentet që shoqëruan koncertin e Goran Bregoviçi në Korçë, duke e cilësuar si frymëzues të masakrave serbe ndaj popullsisë së Kosovës, janë cilësuar nga kryeminsitri Edi Rama, të pabaza dhe akuza të zeza që iu faturuan këngëtarit nga politika qorre dhe ‘zjarrnxitës mendjefikur’ të Prishtinës e Tiranës.

“Një gazetare e mirënjohur shqiptare e Kosovës, e cila respektohet ndërkombëtarisht dhe kontribuon për tribuna prestigjoze të shtypit botëror, e tha shumë troç se Goran Bregoviçi nuk ka asnjë lidhje, me asnjë prej të zezave që iu faturuan nga zjarrnxitës mendjefikur, sa në Prishtinë dhe sa në Tiranë.  Por muzikanti i famshëm nga Sarajeva, me baba kroat, nënë serbe dhe grua muslimane boshnjake, u kthye në një “kriminel serb” që duhej djegur në zjarret e gushtit shqiptar, pavarësisht se as serb nuk është përveç të tjerash. Paçka se Bregoviçi nuk ka thënë asgjë kundër shqiptarëve, nuk i ka kënduar asfare masakrave të regjimit të Millosheviçit dhe nuk ka qenë gjëkundi mbështetës i atij regjimi as me fjalë as me vepra, e vërteta as që kishte rëndësi. Rëndësi kishte zjarri i politikës qorre, e cila krijon armiq, ushqehet armiqësisht dhe jeton për armiqësinë – thënë aq bukur nga një prej zjarrnxitësve mendjefikur, “Më pëlqen ta dëgjoj Bregoviçin, po nuk shoh dot me sy Edi Ramën!”. Askush, hiç askund, nuk e dha asnjë provë të vetme për ta justifikuar histerinë mesjetare që shpërtheu kundër një muzikanti nga më të jashtëzakonshmit e Ballkanit. Ishte një histeri fashiste, e turpshme per qytetarinë europiane të shqiptarëve, për historinë dhe për traditën tonë po ashtu, e cila fatkeqësisht nuk dallonte aspak nga histeritë linçuese të grupeve fashiste kudo në botë. Ku ndryshojnë për shembull ata që në Serbi i hakërrehen me fjalorin më të ndyrë Dua Lipës në rrjetet e saj sociale, vetëm pse ajo është një shqiptare krenare e Kosovës, e cila del mbështjellë me të dy flamujt e shteteve tona, me ata që iu hakërryen me shqipen më të ulët në rrjetet tona sociale Goran Bregoviçit, duke e trajtuar si një kriminel lufte e duke i mveshur faje që ai nuk i ka bërë vetëm se ai këndon serbisht? Ndryshojnë vetëm në faktin se të parët shajnë e mallkojnë serbisht, ndërsa të dytët sharjet e mallkimet i lëshojnë në shqip. Të dyja palët i përkasin besnikërisht kategorisë së ulët njerëzore të urrejtësve të verbër, te cilës kjo botë i ka parë vetëm sherrin, kudo e kurdo që ajo ka arritur të imponojë mbi shoqërinë verbërinë e vet”, shkruan Rama. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme