Debatet te Komisioni Hetimor për TIMS, ministri Balla dëshmon me dyer të mbyllura

Komisioni Hetimor Parlamentar për Sistemin TIMS, është mbledhur të martën me qëllim marrjen në pyetje të dëshmitarëve sipas kalendarit të miratuar në mbledhjen e kaluar. Fillimisht do të merret në pyetje ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
Në nisje të mbledhjes, kryetari i Komisionit Hetimor për të dhënat e TIMS, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji kërkoi që marrja në pyetje e dëshmitarëve të ishte me dyert të hapura.
“Nuk ka informacione sensitive, të vijojmë me dyer të hapura me marrjen në pyetje të dëshmitarëve”, tha Salianji.
Por nënkryetari i Komisionit Hetimor, deputeti i Partisë Socialiste Toni Gogu, hodhi poshtë komentet e Salianjit dhe u shpreh se mbledhja duhet të vijojë me dyer të mbyllura, pasi çështja është nën hetim dhe ka informacione të ndjeshme.
Pas diskutimeve, me një vendim të ndërmjetëm dhe me votat e shumicës komisioni vijojë marrjen në pyetje të ministrit Balla me dyer të mbyllura. Në mbledhje janë vetëm deputetët që janë pajisur me certifikatë sigurie.
Debatet
Salianji: Është jetike, e domosdoshme për demokracinë që të ketë përballje të hapura, por për të mos bllokuar punën e komisionit kemi votuar që mbledhja të zhvillohej me dyer të mbyllura, por siç e citoj vendimin e ndërmjetëm, pa patur nevojë për t’u pajisur me certifikata sigurie të deputetëve. Duhet të kthejmë në ligjshmëri punën e komisionit. Jemi në kushte të reja dhe vendimmarrja e kaluar nuk ishte e mundur për shkak se ministri i Brendshëm pretendoi se kishte informacion të klasifikuar, të hedhim në votim dhe të kthejmë në vendim të ri të ndërmjetëm, mbledhja me dëshmitarin e parë Taulant Balla ministër i Brendshëm, nuk ka në këndvështrimin tim që të jemi njohur me ndonjë dokument të klasifikuar propozoj që mbledhja të jetë e hapur (hidhet në votim).
Toni Gogu: Dëshmia e Ballë duhet të zhvillohet me dyer të mbyllura. I kemi bërë kërkesë Këshillit të Rregullores për një sërë çështjesh. Filloni menjëherë nga dëgjimi i ministrit të Brendshëm, duke filluar në këtë mënyrë zyrtarisht hetimin dhe pa u zgjatur shumë në fjalë që populli i barazon me fukarallëk, me fukarallëk të këtij sistemi. Vazhdoni mbledhjen që kemi lënë përgjysmë me dyer të mbyllura.
Salianji: Kemi një vendimmarrje të re të ndërmjetme. Mbledhjet duhet të jenë të hapura për transparentë të plotë. Përballja dhe dhënia llogari të plotë. I kemi thirrur për të dhënë llogari. Çështja shqetëson qytetarët, partnerët. I keni bërë kërkesa Kuvendit, shpresoj të mos jenë truke për të penguar procesin, e dhimbshme që një parti politike doni të bojkotoni komisionin siç bëtë herën e kaluar. Kështu që kërkesat e mia si kryetar i komisionit me qejf do i ishin drejtuar komuniteteve fetare për t’ia mbajtur gjithsecilit mendjen në vend dhe lutje zotit që të jeni në këtë mbledhje më të qetë dhe të jeni në anën ligjit e moralit dhe jo të kundërt.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




