Demo: ‘Paketa e Maleve’ me mbi 300 aplikime, javën tjetër nis turi për Reformën Territoriale

Politikë | 8 muaj më parë

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, prezantoi raportin për fuqizimin e pushtetit vendor, duke theksuar katër drejtime kryesore: zhvillimin ekonomik, kapacitetet vendore, modernizimin e qeverisjes dhe performancën e shërbimeve. “Raporti përqendrohet në katër drejtime: zhvillimin ekonomik, kapacitetet vendore, modernizimin e qeverisjes dhe performancën e shërbimeve,” tha Demo.

Demo u ndal tek programi “Paketa e Maleve”, duke bërë të ditur se tashmë 25 bashki kanë përcaktuar zonat prioritare dhe janë mbi 300 aplikime reale në proces.

“Në muajt që do të kemi para do të kemi një hartë të plotësuar në të gjithë territorin dhe besoj se targeti që kemi vendosur për vitin 2026, që do të jenë 1000 aplikime të suksesshme, do të realizohet,” deklaroi ai.

Ai shtoi se koncepti i bashkive sipërmarrëse synon kthimin e bashkive në aktorë ekonomikë realë.

“Iniciativa për bashkitë sipërmarrëse është duke u diskutuar thellësisht me disa prej bashkive në vend dhe besoj se do të sjellë ndryshime reale në territor,” u shpreh ministri.

Demo foli për nismën e Akademisë së Pushtetit Vendor, ku kanë nisur trajnimet e para për sistemin parashkollor dhe menaxhimin e mbetjeve.

“Akademia është një iniciativë që garanton qëndrueshmërinë, sepse vetë bashkitë janë pjesë e saj dhe do të mbështesin financiarisht me 50% të kostos, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga qeveria,” tha ai.

Ministri u ndal edhe tek policia bashkiake, duke theksuar se drafti i rishikuar do të garantojë standarde kombëtare për trupën.

 “Policia bashkiake do të mbetet pjesë organike e bashkive, por do të ketë standarde të njësuara në nivel kombëtar,” deklaroi Demo.

Ai përmendi gjithashtu partneritetet akademike me universitete për adresimin e problematikave specifike në territor. “Universitetet do t’u vijnë në ndihmë bashkive me studime specifike për të dhënë zgjidhje konkrete,” tha ministri.

Demo nënvizoi se projekti kryesor është digjitalizimi i shërbimeve vendore.

“Ne duhet t’i thjeshtojmë shërbimet dhe më pas nëpërmjet digjitalizimit të bëjmë të mundur aksesin e garantuar për qytetarët, uljen e kostos dhe rritjen e eficiencës,” u shpreh ai.

Ministri theksoi se reforma territoriale është e domosdoshme për të përgatitur bashkitë për sfidat e integrimit.

“Produkti që presim nga reforma territoriale është një produkt që do t’i lehtësojë sfidat dhe të përgatisë bashkitë për Shqipërinë 2030,” tha Demo.

Ai njoftoi se javën e ardhshme do të nisë turi i diskutimeve për reformën territoriale.

“Do të fillojmë një tur faktmbledhës në territor dhe hapi i mëpasshëm do të jetë vlerësimi i funksioneve të bashkisë. Analiza e detajuar mbi funksionet duhet të jetë një nga elementët kryesorë për të garantuar bashki të qëndrueshme,” theksoi ministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme