Dëmtimi i vendeve kulturore nga tërmeti i fuqishëm në Turqi dhe Siri, UNESCO: Gati të ofrojmë ndihmë

UNESCO, organizata kulturore e Kombeve të Bashkuara, ka deklaruar se do të ofrojë ndihmë pas dëmtimit të vendeve kulturore në Turqi dhe Siri për shkak të tërmetit të fuqishëm të së hënës me magnitudë 7.8 ballë.
Pas një studimi fillestar të dëmeve, UNESCO tha se është veçanërisht e shqetësuar për situatën në qytetin antik të Aleppos, i cili është në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.
“Kulla perëndimore e murit të vjetër të qytetit është shembur dhe disa ndërtesa në souk janë dobësuar“, tha UNESCO.
Po ashtu edhe në qytetin turk të Dijarbakırit, janë shembur disa ndërtesa. Qyteti është shtëpia e zonës së trashëgimisë botërore Kalaja e Diyarbakırit dhe peizazhi kulturor i Kopshteve Hevsel, i cili është një qendër e rëndësishme e periudhave romake, sasanide, bizantine, islame dhe osmane.
UNESCO deklaroi se po mobilizon ekspertët për të krijuar një inventar të saktë të dëmeve me qëllimin e sigurimit dhe stabilizimit të shpejtë të këtyre vendeve.
Më shumë se 5200 njerëz kanë humbur jetën dhe dhjetëra mijëra janë plagosur pas një tërmeti me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën. Mijëra ndërtesa u shembën në të dy vendet dhe agjencitë e ndihmave janë veçanërisht të shqetësuara për Sirinë veriperëndimore, ku më shumë se 4 milionë njerëz tashmë po mbështeteshin te ndihma humanitare. Tërmeti, një nga më të fortët që ka goditur rajonin në më shumë se 100 vjet, goditi 23 kilometra në lindje të Nurdagi, në provincën Gaziantep të Turqisë, në një thellësi prej 24.1 kilometrash./ CNN
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




