Dënimi i Salianjit me 1 vit burg, PD: Hakmarrje e verbër politike, kërkon mosbindje civile

Partia Demokratike e ka cilësuar vendimin e Gjykatës së Apelit për të dënuar me 1 vit burg deputetin demokrat Ervin Salianji një “hakmarrje të verbër politike të Edi Ramës, Geron dhe Fatzi Xhafës”.
Në reagimin e saj pas një mbledhje urgjente, PD tha se ky vendim politik dëshmon se krimi merr vendimet në këtë vend.
“Sot në luftën e shpallur ndaj opozitës, Edvin Kristaq Rama dënoi me burgim politik deputetin e opozitës Ervin Salianji për betejën e tij guximtare kundër Edi Ramës dhe narko-shtetit të tij.
Sot Ervin Salianji u dënua nga Edi Rama, Geron dhe Fatzi Xhafa në një akt hakmarrje të verbër politike për faktin e vetëm se deputeti Salianji vërtetoi lidhjen dhe veprimtarinë kriminale të narko-trafikantit ndërkombëtar vëllait të Fatmir Xhafës, ministër trafikant, dhe Edi Ramës kreu i narko-shtetit shqiptar. Dënimi i sotëm i Ervin Salianjit dëshmon se në këtë vend droga dhe krimi i lidhur me qeverinë janë vendim-marrësit kryesorë në narko-shtetin shqiptar”, thuhet në njoftimin e PD.
PD thotë se ky vendim është një sulm ndaj opozitës dhe pluralizmit në vend, ndërsa bën thirrje për mosbindje civile.
“Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këtë akt politik të shëmtuar të Edi Ramës dhe narko-shtetit të tij kundër Partisë Demokratike, opozitës dhe pluralizmit politik në Shqipëri si dëshmi e terrorit të egër ndaj opozitës për Partinë Demokratike, për çdo demokrate dhe demokrat, për çdo opozitare dhe opozitar, ky akt është një kushtrim, është një SOS të ngrihemi në mosbindje civile: “O sot, o kurrë” kundër Edi Ramës dhe narko-diktaturës së tij”, thuhet në njoftimin e PD.
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për dënimin me 1 vit burg deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji për çështjen “Babale”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




