Deputetët e PD-së i kërkojnë dorëheqjen Bashës

Politikë | 5 vite më parë

Zhvillimet më të fundit brenda PD, pas humbjes së saj në zgjedhjet e pjesshme lokale, po paralajmërojnë zhvillime të reja rreth fatit të kreut të PD Lulzim Basha. Kjo pasi deputetëve që kërkonin me ngulm  dorëheqjen e zotit Basha, u janë shtuar edhe besnikët e tij. Ata janë sekretari i përgjithshëm Gazmend  Bardhi dhe nënkryetarët Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj.

Por duket se kërkesa e tyre ka shkuar edhe më tej. Në mbledhjen e së shtunës kanë thënë se bashkë me zotin Basha duhet të tërhiqet dhe zoti Sali Berisha, pasi kjo do të ishte e vetmja formë për të bashkuar demokratët.

“Tërheqja juaj dhe e Sali Berishës mund të përbashkojë, dhe mund të jap një shans për zgjidhje” citohet të ketë thënë zoti Bardhi.

“Besoj kryetar që ju duhet të bëni një hap pas. Të gjejmë një mënyrë sesi faktorët ne PD të bashkohemi dhe ne te ecim përpara. Nuk di te them cili është mekanizmi, por di te them që ajo që ndodhi në këto muaj na solli në këtë situatë” citohet të ketë thënë dhe zonja Tabaku.

“Propozoj që ju të bëni hap pas, Berisha hap pas, të krijohet substanca e bashkimit, e sinqertë. Këtë shoh si mundësi. Kemi kohën e mjaftueshme”, ka thënë edhe zoti Alibeaj. Vetë zoti Basha tha se ishte i gatshëm për çdo zgjidhje, pa përjashtim, por pa artikuluar për asnjë moment fjalën “dorëheqje”.

Ai tha se zgjidhja nuk është përjashtimi i asnjë nga 3 palëve, as mbështetësve të tij, atë të Berishës si edhe as të atyre që nuk duan asnjërin. sipas tij duhet mbajtur një qëndrim të përbashkët të të gjitha strukturave të PD për të gjetur zgjidhje.

“Ne duhet të gjejmë një qëndrim të përbashkët të të gjitha strukturave të PD për të gjetur zgjidhje. Çdo zgjidhje që përjashton çdo grupim demokratesh nuk i shërben zgjidhjes. Në kuadër të kësaj jam gati të ndërmarr çdo veprim që i shërben PD”, tha zoti Basha.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme