Deputetëve prej 5 ditësh i është dorëzuar propozimi francez, ende asnjë dritë jeshile nga Maqedonia e Veriut

Spektri politik në Maqedoninë e Veriut është ende në diskutime për pranimin e të ashtuquajturit propozim francez i cili u është shpërndarë deputetëve maqedonas.
Ndërsa ishte paralajmëruar caktimi i një date për diskutimin e dokumentit për miratim në seancë plenare, Kuvendi nuk e ka bërë ende një gjë të tillë.
Ndërkohë Partia e shumicës udhëheqëse LSDM ka deklaruar mbështetjen e procesit për fillimin e negociatave me BE-në në përputhje me propozimin francez të datës 30 qershor.
Në të njëjtën kohë që sqaron se mbështet respektimin e pakushtëzuar të veçorive gjuhësore, identitare, historike dhe kulturore të popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në në asnjë rrethanë, LSDMI bën thirrje që këto përcaktime dhe parime të mbështeten nga të gjitha subjektet politike në parlament përmes miratimit të konkluzioneve për propozimin evropian, në përputhje me procedurat parlamentare.
Burime të besueshme i thanë Televizionit Publik se miratimi i këtij dokumenti do të bëhet në një seancë plenare të cilën e cakton Kryetari i Kuvendit.
Ndërsa me këtë skemë bëhet i vështirë kuptimi i një axhende proceduriale që të mund të parashikohet më tej brenda procedurës së BE-së një datë e mundshme eventuale e zhbllokimit edhe për Shqipërinë, Ministri i jashtëm Bujar Osmani ka marrë garanci nga homologu çek për gatishmërinë e organizimit të shpejtë të Konferencës së parë Ndërqeveritare, pasi Maqedonia të miratojë propozimin evropian.
Sipas njoftimit zyrtar, pala maqedonase i qëndron aspekteve kyçe të propozimit të kompromisit, si formulimi për gjuhën maqedonase; mungesa e çështjeve historike në kuadrin e negociatave dhe fillimi i menjëhershëm i bisedimeve të anëtarësimit.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




