Detaje nga operacioni në Maliq ku mbeti i vrarë efektivi, gjenden armë dhe radio police në stanin ku fshihej Violand Braçellari. Hetimet nuk gjetën shkelje nga Policia e Korçës

Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni policor në Lozhan të Maliqit, ku mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli dhe u plagos kolegu i tij Edison Adri. Nga hetimet policia zbuloi armë në stanin ku qëndronte i fshehur i shumëkërkuari Violand Braçellari .
Sipas AMP-së në stan janë gjetur tri armë, një armë kallashnikov, me të cilën ai qëlloi mbi policinë, një pushkë model 56 dhe një çifte. Kontrollet nuk kanë gjetur municion shtesë, çka lë të kuptohet se Braçellari ka përdorur gjithë arsenalin e tij gjatë sulmit ndaj efektivëve.
Në vendin ku fshihej, policia gjeti gjithashtu një radio policie, dhe gjatë zhvillimit të operacionit, efektivët fikën radiot e tyre për të shmangur interferencën me pajisjen e Braçellarit.
Hetimet mbi zbatimin e procedurave dhe protokolleve nga Drejtoria e Policisë së Korçës nuk kanë konstatuar shkelje nga ana e forcave të përfshira. Sa i takon moskërkesës për përforcime nga RENEA ose Forca Operacionale, grupi hetimor sqaron se Policia e Korçës vlerësoi në mënyrë korrekte rrezikshmërinë e Braçellarit, i cili ishte i dënuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, dhe jo për vepra të rënda penale që lidhen me jetën.
Hetimet tregojnë se veprimet e policisë për kapjen e Braçellarit ishin në përputhje me standardet dhe procedurat ligjore.
Si ndodhi ngjarja
Rreth orës 07:30, forcat e policisë ndërmorën një operacion për kapjen e Violand Braçellarit, i shpallur në kërkim prej vitesh. Sipas policisë, 43-vjeçari refuzoi të dorëzohej dhe hapi zjarr ndaj efektivëve.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, Enea Makolli, 34 vjeç, u godit nga një plumb në kokë dhe humbi jetën. Ndërkohë, Edison Adri, 36 vjeç, mbeti i plagosur rëndë.
Ai u transportua me helikopter drejt Tiranës, pasi plumbi e goditi në anën e majtë të fytyrës, duke i dëmtuar edhe nofullën. Policia bën me dije se efektivët iu kundërpërgjigjën me armë, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit autori mbeti i plagosur dhe më pas u vu në pranga.
Violand Braçellari ishte prej kohësh në arrati. Në vitin 2011, ndaj tij u caktua masa e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, ndërsa në vitin 2017 u dënua me 10 vite burg për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Megjithatë, ai nuk vuajti asnjë ditë dënim, pasi arriti t’i fshihej drejtësisë.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



