Dhuna e PD-së në Kuvend, ekspertë të kriminalistikës nisin hetimet

Politikë | 2 vite më parë

Dhuna në Kuvend e shkaktuar nga deputetët e PD-së, e cila kulmoi edhe me djegien e karrigeve përpara godinës ku zhvillohen seancat plenare, sipas kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, ka krijuar një skenë krimi.  Lidhur me pasojat e kësaj dhune të paprecedentë në jetën parlamentare, në ambientet e godinës së Kuvendit kanë mbërritur edhe ekspertë të kriminalistikës që po merren me hetimin e ngjarjes. Ata kanë nisur këqyrjen e vendngjarjes, duke parë ambientet e brendshme dhe të jashtme të Kuvendit, kamerat e sigurisë, si dhe pasojat e shkaktuara nga dhuna.

Spiropali: Kuvendi skenë krimi, të hetohet

Aktet e dhunës nga PD-ja, sulmi ndaj deputetit socialist Petro Koçi, si dhe djegia e karrigeve, sipas Spiropalit, e kthyen Kuvendin në një skenë krimi me të cilin duhet të merren institucionet ligj-zbatuese.  

Sipas Spiropalit, karriget janë për t’u respektuar, duke u ulur mbi to me peshën e besimit të marrë prej qytetarëve.

“Djegia e tyre dëshmon nivelin më ekstrem të mungesës së respektit për qytetarët, ligjin dhe institucionet e shtetit demokratik.”, deklaroi  Spiropali.

Sipas kryetares së Kuvendit, fatkeqësisht, zjarrin mbi parlamentet e kanë vënë vetëm përbuzësit dhe shkatërruesit më të mëdhenj të demokracisë në historinë e saj.

“Edhe më fatkeqësisht zjarr-vënia e sotme, dhe aktet ekstreme të dhunës brenda sallës, e kanë kthyer Kuvendin në një skenë krimi, për t’u marrë në këqyrje nga organet ligj-zbatuese. Keqardhje e thellë”, shkruajti Spiropali në rrjetet sociale.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme