Dialogu Kosovë-Serbi/ Presidenti Vuçiç dhe Kryeministri Kurti takohen sot në Bruksel

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç do të takohen sot në Bruksel. Takimi mes tyre është ndërmjetësuar nga Shefi për Siguri dhe Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell dhe i dërguarit i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ky dialog mes dy liderëve vjen një vit pas takimit që ata kanë mbajtur më 19 korrik 2021.
Më 17 gusht, Kurti dhe Vuçiç u takuan me Sekreratin e Përgjithshëm të NATIO, Jens Stoltenberg. Ky i fundit në një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit me Kurtin, përshëndeti zbutjen e fundit të tensioneve në veri të Kosovës dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që “të veprojnë me përmbajtje dhe të shmangin retorikën e padobishme”.
Stoltenberg më tej i bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen pozitivisht dhe në mënyrë konstruktive” në raundin e ardhshëm të bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE, duke e quajtur dialogun mënyrën e vetme drejt paqes së qëndrueshme. “Është një mundësi për Kosovën që të demonstrojë se është një aktor i përgjegjshëm brenda komunitetit euroatlantik”, tha ai.
Të njëjtin mesazh Stoltenberg ka dhënë dhe gjatë takimit me Vuçiç. Po ashtu, dyshja diskutuan luftën brutale të Rusisë kundër Ukrainës. “Është e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar të qëndrojë i bashkuar për të kundërshtuar agresionin e paprovokuar të Rusisë dhe që ne të gjithë të ndërmarrim hapa për ta bindur Rusinë që t’i japë fund kësaj lufte. Konfiskimi i termocentralit bërthamor të Zaporizhzhia nga forcat ruse përbën “një kërcënim serioz për sigurinë dhe sigurinë e këtyre objekteve; rrit rrezikun e një aksidenti apo incidenti bërthamor; dhe rrezikon popullsinë e Ukrainës, të vendeve fqinje dhe të komunitetit ndërkombëtar. Është urgjente të lejohet inspektimi nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike dhe të sigurohet tërheqja e të gjitha forcave ruse“, tha Stoltenberg i cili më pas vlerësoi partneritetin e gjatë të NATO-s me Serbinë, duke thënë: “ne do të vazhdojmë të punojmë me vendin tuaj për të promovuar qëllimin tonë për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




