Diplomaci, MEPJ: Akuzat për emërimin e Harkës të pabaza, keqinformim dhe vetëm për arsye politike!

Aktualitet | 4 vite më parë

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme hodhi të enjten poshtë si të pabaza, “keqinformim dhe vetëm për arsye politike,” akuzat e grupimit të Rithemelimit në PD, sipas të cilave sekretarja e dytë e Konsullatës shqiptare në Stamboll, Juna Harka, e ka bashkëshortin trafikant droge.

Në një deklaratë për shtyp të kësaj ministrie spjegohet dinamika mbi emërimin e shtetases Juna Harka e cila i plotëson të gjitha kushtet.

Sipas deklaratës zonja Harka e cila rezulton e pamartuar, pas emërimit, nuk e ka marrë detyrën, pasi gjatë kësaj periudhe ka qenë në proces verifikimi, në përputhje me ligjin.

“Informojmë se gjatë këtij procesi verifikimi,  znj. Harka i ka kërkuar Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në MEPJ të tërhiqet, për arsye personale” shkruhet në deklaratë.

“Edhe njëherë konfirmojmë se shtetësja Juna Harka nuk ka shërbyer asnjë ditë në Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, nuk ka pasaportë diplomatike dhe nuk ka gëzuar për asnjë moment imunitetet dhe privilegjet që të jep statusi i diplomatit. Rrjedhimisht nuk ka patur asnjë komunikim me autoritetet turke për këtë emërim. 

Faktet e mësipërme dëshmojnë se gjithçka që i është servirur sot opinionit publik vetëm për arsye politike janë akuza të pabaza dhe  keqinformim” përfundon deklarata e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Deklarata e MEPJ erdhi pasi në një deklaratë për media të enjten zëdhënësja Floriana Garo akuzoi ministren Olta Xhaçka se ka emëruar Sekretare të Dytë në Konsullatën shqiptare në Stamboll zonjën Juna Harka, e cila sipas deklaratës është bashkëshorte e shtetasit turk Ramazan Keskin, kreu i një organizate kriminale aktive në narko-trafik.

 

DEKLARATË PËR SHTYP E MEPJ

Nisur nga akuzat e bëra sot në drejtim të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme mbi emërimin e shtetases Juna Harka, sqarojmë se emërimi është bërë bazuar në ligjin nr 23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, neni 31, pika 3, që parashikon emërimin për nevoja të veçanta diplomatike të ekspertëve jashtë shërbimit të jashtëm, të cilët zotërojnë njohuri dhe ekspertizë, sipas specifikave të pozicionit të emërimit. 
Për dijeni të opinionit publik, në jetëshkrimin e paraqitur pranë MEPJ rezulton se shtetasja në fjalë plotëson të gjitha kushtet. Ajo ka përfunduar studimet e larta jashtë vendit për marrëdhënie ndërkombëtare, zotëron tre mastera dhe ka një përvojë të gjerë në mësimdhënie, gazetari dhe botën akademike. Për më tepër znj. Harka, e cila është lindur e rritur në familje diplomatësh zotëron shkëlqyer katër gjuhë të huaja, ndër të cilat gjuhën turke. 
Bazuar mbi këto kritere e cilësi është bërë fillimisht emërimi i saj në Konsullatën e Përgjithshme të RSH në Stamboll. 
Në kuadër të transparencës dëshirojmë të nënvizojmë faktin se në dokumentat zyrtarë (çertifikatë familjare) znj. Harka rezulton e pamartuar. 
Pas emërimit, ajo nuk e ka marrë detyrën, pasi gjatë kësaj periudhe ka qenë në proces verifikimi, në përputhje me ligjin. 
Informojmë se gjatë këtij procesi verifikimi,  znj. Harka i ka kërkuar Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në MEPJ të tërhiqet, për arsye personale. 
Edhe njëherë konfirmojmë se shtetësja Juna Harka nuk ka shërbyer asnjë ditë në Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, nuk ka pasaportë diplomatike dhe nuk ka gëzuar për asnjë moment imunitetet dhe privilegjet që të jep statusi i diplomatit. Rrjedhimisht nuk ka patur asnjë komunikim me autoritetet turke për këtë emërim. 
Faktet e mësipërme dëshmojnë se gjithçka që i është servirur sot opinionit publik vetëm për arsye politike janë akuza të pabaza dhe  keqinformim.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme