Diskutime te Ligjet, Bardhi: Pse dyfishuat vlerat e projekteve? Ministri Malaj: Janë reflektuar kostot

Ministri i Financave Petit Malaj ka diskutuar në Komisionin e Ligjeve aktin normativ për disa ndryshime në buxhetin e 2024. Malaj tha se këto ndryshime janë bërë për rishpërndarjen e disa fondeve të mbledhura si shkak i rritjes së të ardhurave nga tatimet, doganat, deklarimet shoqërore etj.
Gjatë diskutimeve deputeti demokrat Gazmend Bardhi ka pyetur ministrin se pse ka firmosur rritjen e kostove të tre projekteve si zgjerimi i autostradës Tiranë Durrës, bypass-i i Elbasanit dhe rruga Tiranë-Ndroq-Plepa.
Për ministrin këto rritje janë kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe janë bërë me kostot e viteve të mëparshme, ndërsa aktualisht duhet reflektuar rritja e kostove dhe efektet e kursit të këmbimit.
Por për Bardhin kjo nuk është e vërtetë pasi vlera fillestare e vendosur ishte me vendim qeverie para 5 muajsh dhe u dyfishua pas 5 muajsh.
“Me një vendim qeverie keni shtuar 3-4 muaj pasi ishin miratuar vlerat paraprake të projekteve rreth 260 milionë euro vetëm për tre projekte, pra bëhet fjalë për projektin e zgjerimit të autostradës Tiranë Durrës, by pass i Elbasanit dhe rrugës Tiranë-Ndroq-Plepa. Pa bërë asnjë studim fizibiliteti, pa bërë asnjë analizë sepse analiza ishte bërë dhe vlera e projekteve ishte miratuar dhe unë nuk di të ketë ndonjë zhvillim kaq të madhe të rritjes së çmimeve, fjala vjen një projekt që ishte parashikuar me 205 mln euro të shkojë 298.8 mln euro, apo një projekt që e kishte vlerën 39.8 mln euro ju ta çoni në 87 milionë euro, apo siç është rasti i bypass të Elbasanit që ishte parashikuar të kushtonte 120 mln euro është rritur në 240 mln euro. Çfarë ju nxiti ju që pasi hytë në atë zyrë të rishikonit dyfishim të vlerave të këtyre projekteve. Ka patur një vendim qeverie 5 muaj më parë që kishte përcaktuar vlerat që përmenda. Pas 5 muajsh ministria e linjës, kujtojmë që bëhet fjalë për të njëjtën zonjë që tunelin e Llogarasë e çoi nga 140 mln euro e çoi në 190 mln euro me një të rënë të lapsit, unë po flas për krahasim e vlerave që janë miratuar para 5 muajsh dhe dyfishimin e këtyre vlerave 5 muaj më pas.”, tha Bardhi.
“Për projektet e përmendura nga ju janë projekte për të cilat kanë ardhur analizat nga ministria e linjës, në rastin konkret nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për Rishikimin e Vlerave. Po ju marr rastin e projektit Tiranë Durrës që daton që në 2010. Pra vlerat kanë qenë të 2010 dhe kanë nevojë për të reflektuar si kostot e ndërtimit edhe efektet e kursit të këmbimit”, tha ministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




