Dita e Dëshmorëve/ Politika nderon të rënët në luftë për atdheun: Sakrifica e tyre, inspirim për zhvillimin e kombit

Sociale | 4 vite më parë

5 Maji shënon Ditën e Dëshmorëve të Kombit, ku heronjtë e popullit përkujtohen me nderime dhe ceremoni pranë Monumentit “Nëna Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve. Në këtë ditë nuk kanë munguar as mesazhet e politikanëve.

Begaj: Lavdi përjetë Dëshmorëve të Atdheut

Presidenti i vendit, Bajram Begaj ka kujtuar me foto Ditën e Dëshmorëve të Kombit, ku shkruan “Lavdi përjetë Dëshmorëve të Atdheut”.

Nikolla: Sakrifica e heronjve, inspirim për zhvillimin e kombit

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka përkujtuar me nderim sakrificën e heronjve të rënë për atdheun në Ditën e Dëshmorëve. Nikolla tha se sakrifica e heronjve është inspirim për zhvillimin e kombit.

“Sot nderojmë me përulësi Dëshmorët e Atdheut. Sakrifica sublime e dëshmorëve për lirinë është një trashëgimi e shenjtë dhe ndër legacitë sipërore të kombit.

Është thirrja t’i shërbejmë Shqipërisë me të gjitha energjitë dhe fuqinë e shpirtit, t’i përkushtoheni të ardhmes sonë evropiane, në krah të aleatëve të mëdhenj, SHBA e BE, dhe kombeve të qytetëruara.

Është inspirimi për kontributet tona për zhvillim,  mirëqenie, dinjitetin njerëzor dhe drejtësinë shoqërore. Kombet që nderojnë historinë janë më të lirë e më të qartë të ndërtojnë të ardhmen e tyre.”, shkruan Nikolla.

Meta: Do të kujtojmë me nderim sakrificat e tyre

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka kujtuar sot Ditën e Dëshmorëve ku ka vendosur kurora me lule në nderim të heronjve në Gosë të Rrogozhinës. Meta tha se shqiptarët do të kujtojnë gjithmonë me nderim sakrificat e tyre.

“Sot në Ditën e Dëshmorëve në Gosë të Rrogozhinës vendosëm kurora me lule në nderim të Heronjve të Popullit, Margarita dhe Kristaq Tutulani.

Ekzekutimi i tyre mizor nga pushtuesi ishte një përpjekje e dëshpëruar për të trembur rininë anembanë vendit për t’ju bashkuar Luftës Antifashiste për Liri.

Ne do t’i kujtojmë gjithmonë me nderim dhe dashuri për sakrificat më sublime që ata bënë dhe kurrë nuk do e harrojmë porosinë e Margaritës se: Atdheu na duhet që të jetojmë të lirë”, shkruan Meta.

E ndërtuar në vitin 1971, në këtë varrezë prehen eshtrat e dëshmorëve të kombit dhe heronjve të popullit. Pjesa më e madhe janë varret e të rënëve që luftuan për lirinë e atdheut  gjatë Luftës së Dytë Botërore, por aty prehen edhe eshtrat e policëve të rënë në krye të detyrës në periudhën e pas luftës dhe në kohën e post komunizmit.

Dita e Nderimit të Dëshmorëve të Kombit është caktuar 5 Maji, datë në të cilën ka rënë Heroi i Popullit, Qemal Stafa.

Në Ditën e Dëshmorëve të Kombit kujtohen me mirënjohje jo vetëm për vlerat e përjetshme dhe kontributin që dhanë për çlirimin e vendit për një të ardhme më të mirë, por edhe të gjithë ata që sakrifikuan jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme