Dita e Përkujtimit, presidenti Bajden nderon ushtarët amerikanë të rënë në luftë

Botë | 2 vite më parë

Presidenti i SHBA-së, Xho Bajden (Joe Biden), ka nderuar ushtarët e rënë gjatë kremtimit të 156-të të Ditës Përkujtimore në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, jashtë kryeqytetit.

Bajdeni vendosi të hënën një kurorë me lule në Varrin e Ushtarit të Panjohur në një ceremoni solemne, ku shoqërohej nga zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe sekretari i Mbrojtjes, Loid Ostin (Lloyd Austin).

“Ne mblidhemi në këtë vend të shenjtë, në këtë moment solemn, për të kujtuar, për të nderuar sakrificën e qindra mijëra grave dhe burrave që kanë dhënë jetën për këtë komb,” tha Bajdeni nga amfiteatri i varrezave.

Ceremonia e Ditës Përkujtimore është e fundit në një varg ngjarjesh ku Bajdeni është fokusuar në personelin ushtarak aktiv dhe në pension, duke përfshirë mbajtjen e fjalimit të fillimit të shtunën në Akademinë Ushtarake të SHBA në Uest-Point, Nju-Jork.

Javën e ardhshme, presidenti do të udhëtojë në Normandi, Francë, për të marrë pjesë në ceremonitë që shënojnë 80-vjetorin e pushtimit të Ditës-D.

Ai pritet të mbajë një fjalim madhor për heroizmin e forcave aleate në Luftën e Dytë Botërore dhe kërcënimet e vazhdueshme ndaj demokracisë sot.

Në Ditën e Përkujtimit, çdo varr në Arlington do të ketë një flamur të vogël amerikan të vendosur me kujdes një këmbë larg nga guri i varrit. Flamujt u vendosën nga 1.500 ushtarë nga Regjimenti i 3-të i Këmbësorisë i Ushtrisë, i njohur më mirë si Garda e Vjetër. Regjimenti ka zbatuar traditën, të njohur si “Flamujt në”, pak para Ditës Përkujtimore si çdo vit që nga viti 1948, kur u caktua si njësia ceremoniale zyrtare e Ushtrisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme