Drejtpërdrejtë- Nis seanca në Hagë, pritet aktgjykimi për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin
Ka nisur seanca në Gjykatën Speciale në Hagë për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Seanca pritet të zgjasë rreth dy orë. Trupi gjykues kryesohet nga gjykatësi Charles Smith. Vendimi vjen pas një procesi gjyqësor që zgjati rreth tre vjet, gjatë të cilit u dëgjuan 134 dëshmitarë dhe u shqyrtuan mijëra materiale provuese.
Procesi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së nisi në prill të vitit 2023. Pas përfundimit të paraqitjes së provave, në shkurt të këtij viti Prokuroria dhe ekipet e mbrojtjes paraqitën argumentet përmbyllëse, ndërsa Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi iu drejtuan për herë të fundit trupit gjykues.
Katër të akuzuarit janë deklaruar vazhdimisht të pafajshëm dhe kanë mohuar akuzat ndaj tyre. Prokuroria i akuzon për një sërë veprash penale, përfshirë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Sipas aktakuzës, veprat e pretenduara lidhen me periudhën nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999.
Gjatë deklaratës përmbyllëse, Hashim Thaçi hodhi poshtë akuzat dhe tha se gjatë luftës në Kosovë kundërshtari i tij dhe i popullit të Kosovës ishte regjimi i Slobodan Millosheviqit.
Ndërkohë, në Hagë janë mbledhur mbështetës të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët kanë marshuar me flamuj të UÇK-së, plisa dhe pankarta, duke kërkuar lirimin e tyre. Në tubim janë dëgjuar edhe këngë patriotike.
Gazetarja e RTSH24, Jonida Omeri, e cila po ndjek zhvillimet nga Haga, raporton se vendimi që pritet të shpallet sot është i shkallës së parë dhe se, në rast se palët kanë pretendime ndaj tij, ai mund të ankimohet.
“Pavarësisht vendimit të ditës së sotme, me peshë historike dhe politike, është një vendim i shkallës së parë dhe, nëse palët e përfshira në proces do të kenë pretendime, mund ta ankimojnë këtë vendim”, deklaroi Omeri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




