Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave të regjimeve totalitare , Meta dhe Basha përcjellin mesazhe

Politikë | 5 vite më parë

“Tragjeditë  e  së  shkuarës  janë  të  destinuara  të  përsëriten  nëse  e  harrojmë historinë, shkruan  presidenti  i  Republikës në ditën  Europiane  e  Përkujtimit të Viktimave  të  regjimeve totalitare  dhe  autoritare.  Sipas  kreut  të  shtetit  kjo ditë   na  sjell  në vëmendje jetët  e  pafajshme  të  martirizuara  në  emër  të  lirisë, demokracisë  dhe  dinjitetit njerëzor, dhembjet  dhe  sakrificat  e mijëra  të  burgosurve  e  të  persekutuarve, të mbijetuar  të  terrorit, krimeve  dhe  shtypjes  në  kampet  e  vdekjeve  dhe internimeve. 
“Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit na sjell sot në vëmendje jetët e pafajshme të martirizuara në emër të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, dhembjet dhe sakrificat e mijëra të burgosurve e të persekutuarve, të mbijetuar të terrorit, krimeve dhe shtypjes në kampet e vdekjeve dhe internimeve.
Nderimi i kujtimit të tyre duhet të ushqejë angazhimin tonë të përbashkët dhe të pandalshëm për të zhvilluar, mbrojtur dhe respektuar demokracinë, të drejtat dhe liritë e njeriut, për të mos e ndalur luftën ndaj shfaqjeve të sotme të autoritarizmit, intolerancës, përjashtimit dhe ekstremizmit.
Sepse siç na ka mësuar përvoja njerëzore, tragjeditë e së shkuarës janë të destinuara të përsëriten nëse e harrojmë historinë.
Vetë integrimi europian ka në themel aleancën e popujve të lirë kundër diktaturave dhe regjimeve hibride”. 

Edhe  kryedemokrati  Lulzim  Basha, në    mesazhin  e  përcjellë vë theksin  se nga e kaluara  duhet  duhet  nxjerrë   mësim si dhe  reflektim , për  të  mos lejuar, siç  shkruan  ai,  asnjë formë  të autoritarizmit  të  na ndajë nga Europa, Perëndimi  dhe nga liria. 
“Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave të regjimeve totalitare dhe autoritare, nuk është vetëm një ditë kujtese por edhe reflektimi për një plagë kombëtare që vijon të sëmbojë, pasi Shqipëria ende nuk e ka tejkaluar. Kujtesa dhe nderimi për viktimat e regjimit më çnjerëzor në Europë, që mohoi liritë dhe të drejtat, dinjitetin njerëzor dhe besimin në Zot, duhet të shkojë krah për krah me vetëdijen se shumë mbetet për t’u bërë, që xhelatët të mbeten në atë krah të historisë që Europa mbarë u ka caktuar regjimeve gjakatare. Sepse ai krah nuk ka qenë kurrë i duhuri dhe këtë e konfirmojnë 34,135 shqiptarët e burgosur dhe dënuar për arsye politike, 59,009 qytetarë u internuan në kampe përqendrimi, 7,022 prej të cilëve vdiqën prej trajtimit shatazarak, 984 të vdekur në burgjet e regjimit dhe 6,027 burra dhe gra, djem dhe vajza të ekzekutuar me dhe pa gjyq gjatë diktaturës.
Ne shqiptarët kemi më shumë viktima se shumë kombe në botën demokratike për të përkujtuar. Ndaj ju ftoj të kujtojmë, të nderojmë dhe të përkulemi përpara sakrificës viktimave që na shkaktoi diktatura komuniste e Enver Hoxhës dhe të reflektojmë. Të reflektojmë dhe të nxjerrim mësime e forcë për të mos lejuar asnjë formë të autoritarizmit të na ndajë nga Europa, nga Perëndimi dhe nga liria. Qoftë i paharruar kujtimi i shqiptarëve që e paguan me jetën e tyre instalimin dhe pushtetin absolut të rregjimit komunist! #BlackRibbonDay”
 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme