Dita Ndërkombëtare e Romëve festohet në Berat, projekte për integrimin e këtij komuniteti në shoqëri

Sociale | 3 vite më parë

8 Prilli njihet gjerësisht si Dita Ndërkombëtare e Romëve. E deklaruar zyrtarisht në vitin 1990 gjatë Kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom në Poloni, u zgjodh kjo datë në nder të takimit të parë të përfaqësuesve Rom në prill të vitit 1971.

Në Shqipëri jeton një numër i lartë i Komunitetit Rom, ku pjesa më e madhe e tyre janë për-qëndruar në Berat, Fier, Korçë dhe në disa qytete të tjera. Ndërsa një numër i madh projektesh nga institucione apo donatorë të ndryshëm siç është PNUD-i, i vijnë në ndihmë këtij komuniteti me nisma të ndryshme që konsistojnë në arsim, mirëqenie dhe fuqizim të anëtarëve të këtij komuniteti.

Përfaqësues të këtij komuniteti nga disa qytete të Shqipërisë u mblodhën pasditen e së hënës në Berat, për të festuar Ditën Ndërkombëtare të tyre, ku nuk munguan as drejtuesit vendor dhe përfaqësuesja e PNUD për Shqipërinë, Monica Merino.

Merino ka folur rreth ndihmës së PNUD për këtë komunitet, me qëllim integrimin e tij në shoqëri.

“Është kënaqësi shumë e madhe për mua që të jem sot këtu në Berat për të festuar Ditën Ndërkombëtare Rome. Mbështetja për të cilën jemi mbledhur sot është falë një projekti rajonal të financuar nga Bashkimi Evropian për të mbështetur ata që rikthehen në vendin e tyre të origjinës. Ne japim nëpërmjet projektit tonë mbështetje, shërbime sociale dhe oportunitete të tjera në lëmin ekonomik për burrat dhe gratë rome në tre bashkitë Berat, Fier dhe Devoll”, ka thënë Merino.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo theksoi rëndësinë e projekteve që kanë dhënë impakt në Berat, ndërsa i shprehu mirënjohje institucionit të PNUD, pasi me anë të projekteve të zbatuara ka arritur tu vijë në ndihmë shumë pjesëtarëve të këtij komuniteti.

“Sot ne festuam datën 8 prill që është dita e romëve dhe mua më vjen shumë mirë që ne patëm mundësinë të festonim në Berat, edhe me partnerët tanë kryesor, që patjetër është PNUD, i cili ka qenë një nga institucionet që ka mbështetur më shumë integrimin e këtij komuniteti në jetën social-kulturore dhe ekonomike. Mua më vjen shumë mirë që po ashtu ne kemi pasur sot në Berat edhe bashki si ajo e Devollit dhe e Fierit, të cilat kanë sjellë rastet e tyre të suksesit, falë projekteve që kanë marrë nga mbështetja e PNUD”, ka thënë Demo.

Janë me qindra familje rome që jetojnë në Berat, ndërsa shumica e tyre, si mënyrë për të siguruar jetesën, kanë tregtinë e rrobave të përdorura dhe riciklimin e mbetjeve.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme