Djegia e Kuranit në Suedi/ Erdogan: Nuk do të merrrni asnjë mbështetje për anëtarësim në NATO

Botë | 4 vite më parë

Protestat në kryeqytetin suedez, dy ditë më parë, kanë rritur tensionet me Turqinë. Në një kohë kur vendi nordik ka nevojë për mbështetjen e Ankarasë për të hyrë në aleancën ushtarake, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka theksuar se nuk do të mbështesë anëtarësim e Suedisë në NATO. Reagimi i tij vjen pas djegies së një kopje të Kuranit gjatë mbajtjes së protestës. Ai kritikoi gjithashtu autoritetet suedeze për lejimin e zhvillimit të demonstratës jashtë ambasadës turke në Stokholm.

“Ata që lejojnë një blasfemi të tillë para ambasadës sonë (në Stokholm) nuk mund të presin më mbështetjen tonë për anëtarësimin e tyre në NATO. Nëse nuk respektoni besimet fetare të Republikës së Turqisë apo myslimanëve, nuk do të merrni asnjë mbështetje nga ne për NATO-n”.“Kufijtë e të drejtave dhe lirive të individit arrijnë aty ku fillojnë të drejtat dhe liritë e individit tjetër. Prandaj, akti i shëmtuar në Suedi është një fyerje për muslimanët. Asnjë person nuk ka të drejtë të ngacmojë shenjtorët e myslimanëve apo feve të tjera”, tha presidenti turk.

Ankaraja ka qenë nën presion në rritje nga zyrtarët suedezë dhe finlandezë, si dhe nga shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg për të miratuar pranimin e Suedisë dhe Finlandës që kur të tre vendet nënshkruan një memorandum trepalësh gjatë një samiti të NATO-s në Madrid qershorin e kaluar.

Të dy vendet nordike ranë dakord të trajtojnë shqetësimet e sigurisë të ngritura nga Turqia, përkatësisht praninë e organizatave kurde në Suedi që Ankaraja pretendon se kanë lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilën Turqia, BE-ja dhe Uashingtoni e kanë cilësuar si grup terrorist.

Suedia dhe Finlanda aplikuan vitin e kaluar për t’iu bashkuar NATO-s, pas sulmit rus në Ukrainë, por kërkesa e tyre duhet miratuar nga të 30 vendet anëtare. Turqia ka thënë se Suedia në veçanti, duhet që fillimisht të mbajë një qëndrim më të qartë kundër atyre që i sheh si terroristë, kryesisht militantët kurdë si dhe një grup që e fajëson për një përpjekje për grusht shteti në vitit 2016.

Në vitin 2022 Finlanda dhe Suedia nënshkruan një marrëveshje trepalëshe me Turqinë, me synimin për të kapërcyer kundërshtimet e Ankarasë për anëtarësimin e tyre në NATO. Suedia thotë se ka përmbushur detyrimet e saj bazuar në marrëveshje, por Turqia kërkon më shumë, përfshirë ekstradimin e 130 personave që i konsideron si terroriste.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme