“Djegia e mandateve, gabim strategjik i PD“, Gjiknuri: Dialogu me opozitën në komisionin e reformës zgjedhore

Që prej 2017-ës, PS qeveris e vetme dhe duket se është mësuar të marrë çdo vendim madhor pa opozitën. Pas largimit të saj nga parlamenti, dialogu mes palëve u dëmtua akoma më shumë, gjë që nuk duket se po riparohet as në këtë legjislaturë. Por Sekretari i Përgjithshëm i PS mendon ndryshe. Damian Gjiknuri tha në emisionin “Pa Censurë” se opozita ka të gjitha hapësirat e veta dhe se PS po dialogon më opozitën brenda komisionit të reformës elektorale. “Në ato komision janë rreshtuar të gjitha rrymat e partive opozitare, përfshirë edhe përfaqësuesin e Sali Berishës, përtej çarjeve që ata kanë, se nuk dua të hyj në faktin se kujt i përket PD. Dialogu nuk do të thotë se duhet të biem dakord, por kjo nuk do të thotë se cënohet demokracia. Mosarritja e një përfundimi nëpërmjet dialogut zgjidhet nëpërmjet zgjedhjeve”-thotë zoti Gjiknuri.
Ai vlerëson se përsa kohë PD të mos pranojë gabimet, siç ishte gabimi strategjik i djegies së mandateve, si dhe realitetin elektoral, nuk do të ketë një rezultat të ndryshëm.
“Gabime strategjike kanë pasoja afatgjata, do të duhen shumë kohë të kurohet. Gjithçka ndodh sot në PD është rezultat i politikave të saj të papërgjegjshme të fundvitit 2018 dhe fillimit 2019, kur të gjithë këta aktorë gatuan atë çorbën për bojkotin e institucioneve, bojkotin e zgjedhjeve dhe tani po vuajnë pasojat e tyre. Mund të duket disi provokuese, por kjo është e vërteta.“- tha zoti Gjiknuri për emsionin “pa Censurë”.
PJESË NGA INTERVISTA
Elona Meço: A keni ndërmend që të vendosni një dialog me opozitën? E kam dëgjuar kryetarin e PS që thotë se me Sali Berishën nuk ka dialog, por pse e refuzoni ta bëni këtë, kur vendit i duhet një dialog me opozitën, kushdoqoftë ajo.
Damian Gjiknuri: Ne jemi duke dialoguar me opozitën në komisionin e reformës zgjedhore për çështje që ata i shqetësojnë dhe në ato komision janë rreshtuar të gjitha rrymat e partive opozitare, përfshirë edhe përfaqësuesin e Sali Berishës, përtej çarjeve që ata kanë, se nuk dua të hyj në faktin se kujt i përket PD. Kjo është një formë normale dialogu brenda institucioneve dhe kanë rastin të paraqesin propozimet e tyre brenda rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
Elona Meço: Kjo duket si fasadë më shumë, sepse ne kishim komisionin e reformës territoriale, por nuk doli me një përfundim, ju keni rrëzuar kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, si ai i investimeve strategjike. Kryeministri të enjten përdori një gjuhë të fortë, brutale kundër opozitës. Ai duket se i përçmon ata. Edhe zoti Xhafaj tha në parlament se “mungesa e përgjegjshmërisë për të dialoguar e turpëron përpara popullit këtë parlament”. A ndani dhe ju të njëjtin opinion?
Damian Gjiknuri: Dialogu nuk do të thotë se duhet të biem dakord. Në dialog dialogojmë, kur gjejmë kompromis biem dakord, kur nuk ka kompromis, nuk biem, por kjo nuk do të thotë se cënohet demokracia. Për sa kohë sa nuk të mohoj të drejta ty si opozitë dhe opozita i ka të gjitha të drejtat sot, të bëjë edhe protesta dhe të thyejë kordonin e policisë, po pa patur incidente dhe kjo është edhe për meritë të kësaj qeverie. Por fjala dialog nuk duhet abuzuar. Mosarritja e një përfundimi nëpërmjet dialogut zgjidhet nëpërmjet zgjedhjeve, por në fund të fundit, edhe kur PD ishte jashtë insititucioneve, në 2019-2020, ata nuk kishin të drejtë të dialogonin me të drjrtat e tyre në reformën zgjedhori, por ne gjetëm zgjidhje ekstraproceduriale për t’i krijuar hapësirën e dialogut, madje duke i‘u përgjigjur kërkesave të tyre për teknologjinë në zgjedhje, shpenzimin e 15-20 milionë euro. Pra u krijuan dhe këto garanci, dhe administrimi zgjedhor dhe sërish dalin probleme për PD. Sepse është ajo që thashë: mospranimi i realitetit. Kur mohon realitetin dhe krijon një realitet paralel, siç është realiteti që, fatkqësisht, PD i hedh mbështetësve të saj edhe nga padurimi, lodhja e të qenit gjatë në opozitë, por pa marrë parasysh gabimet që kanë bërë. Këto janë gabime strategjike, që kanë pasoja afatgjata. Njeriu mund të bëjë disa gabime në jetë. Çdo organizatë gabon, por kur bën gabime strategjike janë fondamentale, do të duhen shumë kohë të kurohet. Gjithçka ndodh sot në PD është rezultat i politikave të saj të papërgjegjshme të fundvitit 2018 dhe fillimit 2019, kur të gjithë këta aktorë gatuan atë çorbën për bojkotin e institucioneve, bojkotin e zgjedhjeve dhe tani po vuajnë pasojat e tyre. Mund të duket disi provokuese, por kjo është e vërteta.
Elona Meço: Megjithë problemet e brendshme, PD po nxit konkurencën dhe votën brenda partisë dhe duket më demokratike. Tani po zgjedh kandidatët me primare. Ndërsa vendimet tuaja duken më shumë si emërime të kryetarit dhe të kryesisë. Ka ardhur koha të ndryshoni diçka për mënyrë sesi i përcaktoni kandidatët për kryetarë bashkie apo deputetët apo e keni gjetur si formulë fituese këtë?
Damian Gjiknuri: Të shohim si do të përfundojë e primareve në PD, se vetë brenda PD ka akzua për mungesën e një sistemi të vërtetë të këtyre primareve. Në zona të vogla primaret janë pa vlerë, sidomos kur bëhen brenda partisë, sepse në përcaktimin e kandidatëve ty nuk të duhet të shohësh kush ka mbështetjen e partisë brenda dhe përjashton të tjerët apo fiton vetëm ti që ke kontrollin politik mbi organizatën. Problemi qendron si është imputi edhe në ambjentet jashtë partisë. Sepse ty nuk të voton vetëm anëtari i partisë.
Elona Meço: PD e ka zgjeruar me simpatizantë tani, në rregjistrin e tyre të votuesve.
Damian Gjiknuri: Nuk e di çfarë sistemi përdorin dhe nuk kam parë ndonjë metodologji aty. Por pashë rastin e Elbasanit. Deri para pak ditësh kishte disa kandidatë, sot doli një kandidat që tha se nuk kanë pranuar të tjerët, por të tërëve mesa duket u është thënë “hapni krahun se jam unë.” Nuk dua të hyj në mënyrat si i bëjnë ata. E rëndësishme është të zgjedhësh kandidatin me më shumë mbështetje nga qytetarët, jo nga anëtarësia e ngushtë e partisë. Po qe për anëtarësi, ata që janë drejtues partie do të zgjedhin vetvetën. Partitë kalçifikohen, mbyllen, blindohen brenda një strukture të tyre dhe nuk lënë hapësirë për të tjerë.
Elona Meço: Kur ky rrezik është tek PD që ka primare, nuk është tek PS që ka votim kryesie për kandidatët e saj?
Damian Gjiknuri: Ky rrezik qendron tek të gjitha partitë politike shqiptare, por ne kemi treguar që kemi dalë përtej strkturave të ngushta të partisë dhe kemi zgjedhur kandidatë që rrezatojnë edhe interesat e një shoqërie më të gjerë. Fakti që ata kanë dalë fitues është tregues. Dhe në fund rezultati i mekanzimave është të tregojnë rezultat. Dhe ne kemi patur një prudukt të suksesshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




