Djegia e plehrave në Fier, Basha: Po helmohen familjet, ngrini zërin!

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shprehur sot shqetësim për situatën shqetësuese që është krijuar në Fier nga djegia e mbeturinave. Duke e cilësuar si një katastrofë mjedisore zoti Basha tha se është e njëjta skemë kriminale si në Durrës e Kavajë. Sipas liderit demokrat kjo ngjarje po helmon familjet për shkak të tymit dhe erës së rëndë, ndaj ai bën thirrje qytetarëve për të ngritur zërin.
“Shikojini këto imazhe të tmerrshme. Dita e katërt e katastrofës mjedisore në Fier. E njëjta skemë kriminale si në Durrës e Kavajë. Digjen plehrat, helmohen familjet,vetëm që të justifikojnë më pas pagesa të majme inceneratorëve me aksionerë mafian dhe qeveritarët e korruptuar. Viktimat janë njerëzit që helmohen dhe vidhen. Hesht drejtësia, edhe pse ka muaj që PD ka depozituar në SPAK faktet: mbi 400 milionë euro të taksave të shqiptarëve që qeveria ja ka dhuruar inceneratorëve. Censurohet media: heshtje e blerë nga mafia e inceneratorëve. Kështu e do regjimi Shqipërinë: pa të drejta, pa liri, pa të vërteta. Prandaj shkel ligjet, pasurohet duke vrarë shëndetin dhe ekonominë, grabit buxhetin e shqiptarëve, shantazhon dhe blen drejtësinë dhe median. Askush nuk mund të pretendojë se nuk e sheh dhe nuk e kupton. Demokracia vdes në heshtje. Koha për të ngritur zërin! Për veten tuaj, për fëmijët dhe shëndetin e familjeve tuaja. Për taksat tuaja të vjedhura dhe të drejtat tuaja të dhunuara!”shkruan në rrjete sociale kreu i PD-së.
Prej katër ditësh fusha e depozitimit të mbetjeve në Fier është përfshirë nga flakët, të cilat edhe pse janë vënë nën kontroll vijojnë të prodhojnë re të mëdha tymi që kanë pushtuar të gjithë qytetin.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




