“Do adresojmë problematikat e kredive me probleme”/ Sejko: Pagat dhe punësimi kanë ardhur në rritje!

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë një konferencë për media, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, deklaroi se, ekonomia shqiptare po përjeton ditë të mira, inflacioni po bie duke lënë pas goditjet e 2022-2023, por situata mund të ndryshojë nga rritja e shpejtë e pagave për të mbajtur punonjësit në punë, për shkak të mungesave të mëdha për staf që ka tregu aktualisht.
Guvernatori Sejko është ndalur dhe në çështjen e krijuar në sistemin financiar dhe mikrofinanciar, atë të trajtimit të kredive me probleme, ku tha se “kreditë me probleme janë trajtuar në respektim të plotë, të kuadrit ligjor”.
“Banka e Shqipërisë dhe Këshilli Mbikëqyrës mbeten të gatshëm të mbështesin në vijim të gjitha reformat e nevojshme ligjore për adresimin e problematikave që kanë dalë në pah nga zhvillimet e tregut të trajtimit të kredive me probleme, si dhe të ndërmarrë me prioritet çdo nismë të nevojshme rregullatore, e cila qëndron brenda mandatit dhe kompetencës së vet.
Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të theksojë sa më poshtë. Banka e Shqipërisë është një institucion kushtetues, i mandatuar nga ligji me një mision thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit: atë të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe të mbështetjes së stabilitetit financiar. I gjithë aktiviteti politikëbërës, rregullator dhe mbikëqyrës i institucionit, ka qenë dhe mbetet i orientuar ekskluzivisht drejt përmbushjes së këtij misioni” tha ai.
Më tej Sejko nënvizoi se, “Banka e Shqipërisë është një institucion kushtetues, i mandatuar nga ligji me një mision thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit: atë të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe të mbështetjes së stabilitetit financiar. I gjithë aktiviteti politikëbërës, rregullator dhe mbikëqyrës i institucionit, ka qenë dhe mbetet i orientuar ekskluzivisht drejt përmbushjes së këtij misioni”.
Këshilli i BSH ka lënë të pandryshuar norma bazë e interesit në nivelin prej 3 përqind. Guvernatori Gent Sejko, me anë të një deklarate për mediat përmendi disa faktorë që kanë çuar në marrjen e këtij vendimi.
Guvernatori tha se, sipas të dhënave të INSTAT, ekonomia shqiptare u rrit me 3.6% gjatë tremujorit të parë të vitit.
“Zhvillimet ekonomike dhe monetare të gjysmës së parë të vitit kanë qenë në linjë me pritjet tona. Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje, ndërsa inflacioni shënoi një rënie të ndjeshme. Kjo ecuri sugjeron se ekonomia shqiptare po lë pas pasojat e goditjes që pësuam nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2022 – 2023”.
Sipas guvernatorit, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në këtë ecuri. Normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare arriti të vërë inflacionin nën kontroll, duke mos cenuar trendin pozitiv të zhvillimit të vendit dhe stabilitetin financiar të tij.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




