Dorëshkrime të veprave të pabotuara e skica idesh – Fondi i veprimtarisë letrare të Kadaresë, pjesë e Arkivave

Dorëshkrime të rralla të kolosit të letërsisë shqiptare, Ismail Kadare tashmë janë pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Lajmi është bërë me dije nga kryeministri Edi Rama, i cili shkruan se fondi i veprimtarisë letrare të shkrimtarit të madh do të ruhet në një pavion të veçantë. Në këtë arkivë është i gjithë koleksioni letrar i Kadaresë, ku përfshihen skica idesh apo edhe dorëshkrime veprash të pabotuara.
“Fondi i vyer i veprimtarisë letrare të shkrimtarit të madh Ismail Kadare do të ruhet në një pavion të veçantë të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Familjarët e shkrimtarit të madh kanë dorëzuar për ruajtje, administrim, restaurim dhe digjitalizim të gjithë koleksionin e tij letrar përfshirë dorëshkrime, skicë idesh, dorëshkrime të veprave të pabotuara si dhe drafte fillestare të punimeve të tij”, shkruan Rama.
Në kuadër të një marrëveshjeje me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, familja Kadare ka dorëzuar dorëshkrime që mbulojnë gjerësisht krijimtarinë e ngjeshur të shkrimtarit. E bija e Kadaresë, Gresa Kadare shprehet se përmes kësaj nisme, ka çuar në vend amanetin e të atit.
“Nuk është gjë e lehtë të marrësh një iniciativë të tillë. Ismailit në Paris, para disa viteve i janë afruar plot institucione të huaja që donin të merrnin plotësisht ose pjesërisht një pjesë të arkivave, por e shikoja që Ismaili hezitonte dhe më vonë i thash si e ke menduar, çfarë do tamam të bëhet me arkivën tënde” Më tha nuk di çtë bëj sepse dua që arkivi të kthehet në Shqipëri, por nuk di cilit institucion tja besoj. Ai nuk dha përgjigje të prerë, por unë vendosa me iniciativën time t’ia plotësoj këtë amanet”, u shpreh Gresa Kadare.
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido dha garancinë se këto dorëshkrime do të ruhen me fanatizëm.
“Të gjithë këto dorëshkrime janë pjesë e arkivave për ruajtje, dixhitalizim, restaurim, si një hap i rëndësishëm për të mos patur asnjë humbjen e pasurive të mëdha kombëtare. Në këto vite Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka patur dhurime të personaliteteve të mëdha të historisë sonë, që nga Lasgush Poradeci”, u shpreh ai.
Mes materialeve të dorëzuara, bëjnë pjesë dorëshkrimet e veprave: “Spiritus”, “Darka e gabuar”, “Ra ky mort e u pamë”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Koha e parasë”, “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve”, “Stinë e mërzitshme në Olimp”, “Hamleti”, “Hijet”, “Përbindëshi” dhe “Mosmarrëveshja”. Po ashtu, janë dorëzuar edhe shtypshkrimet e veprave “Sorkadhet e trembura”, “Aksidenti”, “Ftesë në studio”, “Ëndërrimet” dhe “Mëngjese në Kafe Rostand”. Krahas tyre, gjenden edhe blloqet me shënime të hedhura prej Kadaresë gjatë krijimtarisë, albume me foto të tij familjare, albume nga aktivitete të shumta kulturore, si edhe dekreti i shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Gazetare Sonia Agostini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




