Dosja Mar-a-Lago/ Gjykata e Lartë refuzon kërkesën e Trump
Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën e ish-presidentit Donald Trump për të hyrë në luftën ligjore mbi kontrollin e FBI-së në pronën e tij në Florida. Trump kishte bërë presion në gjykatë për një çështje në lidhje me dokumentet e klasifikuara të sekuestruara gjatë kontrollit të autorizuar nga një gjykatës federal në Mar-a-Lago.
Ekipi i Trump po kërkonte nga gjyqtarët që të rrëzonin një vendim të gjykatës më të ulët dhe të lejonin një gjykatës të pavarur të shqyrtonte dokumentet e klasifikuara që u morën më 8 gusht nga vila e Trump në Mar-a-Lago gjatë kontrollit të FBI-së.
Gjyqtarët, duke përfshirë dy të emëruar nga Trump, dolën në anën e Departamentit të Drejtësisë, i cili kishte argumentuar se nuk kishte bazë ligjore që gjykatësi i pavarur të kryente rishikimin e të dhënave të klasifikuara.
Por avokatët e Trump thanë në kërkesën e tyre në Gjykatën e Lartë se ishte thelbësore që gjykatësi i pavarur të kishte akses në të dhënat e klasifikuara për të “përcaktuar nëse dokumentet që mbajnë shenja klasifikimi janë në fakt të klasifikuara dhe pavarësisht nga klasifikimi, nëse ato të dhëna janë të dhëna personale ose të dhënat presidenciale.”
FBI thotë se ka sekuestruar rreth 11,000 dokumente, duke përfshirë rreth 100 të klasifikuara, gjatë kontrollit të saj në vilën e Trump në Mar-a-Lago.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




