Drejtori i Doganave inspektim në Qafë Thanë: Situata po i kthehet normalitetit me hapjen e aksit në Librazhd

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja zhvilloi një inspektim në Degën Doganore Qafë Thanë për të ndjekur nga afër situatën në këtë pikë kufitare, pas vështirësive të krijuara nga bllokimi i qarkullimit në aksin rrugor Tiranë–Librazhd, që për disa ditë ndikoi edhe në lëvizjen e mjeteve të transportit dhe veçanërisht të kamionëve.
Beja u njoh me situatën aktuale dhe masat e marra për menaxhimin e fluksit, ndërsa aktiviteti në pikën doganore po rikthehet gradualisht në normalitet me rifillimin e qarkullimit të rregullt të mjeteve.
“Pas situatës së krijuar nga bllokimi i rrugës dhe vështirësive që pati qarkullimi i mjeteve të transportit, veçanërisht i kamionëve, puna në pikën doganore Qafë Thanë po rikthehet gradualisht në normalitet. Strukturat tona në terren kanë menaxhuar fluksin dhe vijojnë të garantojnë funksionimin e rregullt të procedurave doganore”, tha Beja.
Gjatë inspektimit, Drejtori i Përgjithshëm zhvilloi gjithashtu takime me drejtuesit dhe punonjësit e degës, ku u diskutua mbi funksionimin e procedurave doganore, menaxhimin e fluksit dhe rëndësinë e ruajtjes së standardeve të kontrollit dhe shërbimit.
Në kuadër të kësaj vizite, në Degën Doganore Qafë Thanë u zhvillua edhe një takim sensibilizues me stafin e Drejtorisë së Përgjithshme, pjesë e një fushate informuese që po realizohet në të gjitha degët doganore në vend nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe synon rritjen e ndërgjegjësimit të administratës doganore shqiptare mbi kërkesat dhe standardet që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Evropian.
Gjatë këtij takimi u prezantuan prioritetet që lidhen me përafrimin e legjislacionit dhe praktikave doganore me acquis të Bashkimit Evropian, si dhe roli i administratës doganore në këtë proces të rëndësishëm për vendin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



