Dukuritë e reja të turizmit në vitin 2021

Turizmi ka qënë sektori më i goditur në ekonominë shqiptare në vitin 2020. Në vend hynë rreth 1,1 miliard euro më pak, si rrjedhojë e shpenzimeve të munguara nga mosardhja e turistëve.
Si paraqitet gjendja në vitin 2021? Po fenomeni i ri i zëvendësimit të humbjeve sa hap e mbyll sytë, do dëmtojë jo vetëm turizmin, apo edhe buxhetin e shtetit?
Materiali në vazhdim është përgatitur nga gazetari Bardhi sejdarasi.
Kishte pronotuar me kohë, nëpërmjet një agjencie të licensuar, një dhomë në një nga hotelet e njohura të jugut të vendit. Kur paraqitet në njësinë akomoduese, nuk e gjen vendin e prenotuar. Edhe pagesën nuk ia pranuan online! Për t’u akomoduar për ditët e pushimit vjetor duhet të paguaje vetëm me para në dorë, pra CASH! Përndryshe “Lamtumirë pushimet e verës”!
Kjo po bëhet një praktikë e përditshme në pothuajse shumicën e zonave turistike të vendit. Në Vlore apo Sarandë, në njësitë private të akomodimit, të cilat nuk figurojnë askund të rregjistruara, por jo vetëm në to, çmimet ditore janë rritur me dy deri tre fish. Turistë nga Serbia, Maqedonia e Veriut etj., paguajnë këtë çmim, duke rritur tregun, aq sa është bërë i papërballueshëm për të tjerët.
Subjektet thonë nën zë se do t’iu duhet të fitojnë atë humbën nga pandemia. Në fakt të ardhurat nuk raportohen!
Është e vërtetë se vitin e kaluar, shpenzimet e të huajve për udhëtime në Shqipëri u përgjysmuan. Ato zbritën në 989 milionë euro. Në total, në vend hynë rreth 1 miliardë euro më pak, si rrjedhojë e shpenzimeve të munguara të turistëve.
Këtë e tregon edhe grafiku sipas tremujorëve nga viti 2017 deri në fund të 2020.

Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se numri i shtetasve të huaj të hyrë në vend në 2020- ra me 58.5%. Viti 2019 kishte qenë më i miri në historinë e turizmit shqiptar. Gjithsesi bilanci i turizmit (diferenca mes shpenzimeve të të huajve në Shqipëri dhe shqiptarëve jashtë) në vitin 2020 ishte pozitiv prej 321 milionë euro, por të ardhurat e munguara nga turizmi kishin dëmtuar ndjeshëm industrinë vendase.
Sivjet, edhe pse jemi në pikun e sezonit turistik, nuk ka ende shifra zyrtare. Ekspertët e turizmit thonë se Shqipëria duhet të fitojë patjetër 500-600 milionë euro nga turizmi, në një vit.
Zgjidhja duket se është gjetur duke rritur çmimet, ndihmuar edhe nga një rritje e ofertës për shkak të një numri të rritur të turistëve që vizitojnë Shqipërinë. Në 2019-ën, turistët kanë shpenzuar mesatarisht 47 Euro/ditë. Për 2020 nuk ka ende një shifër zyrtare.
Gjatë vitit 2020 ekspertët e Bankës Botërore kërkuan me ngulm luftimin e informalitetit, evidentuan profesione me riskun e nëndeklarimit të pagës. Nga analiza e pagave të deklaruara u vlerësuan si paga me nëndeklarim të gjitha pagat për profesionet inxhinier, ekonomist, farmacist, administrator, kuzhinier, laborant, bukëpjekes etj deri në vlerën 30 000 lekë. 3.619 tatimpagues dhe 3.714 punonjës ishin të tillë. 3.532 tatimpagues të tjerë deklarojnë punonjës me pagë bruto 1 lek. Çudia ishte me Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj, që vetëquhen VIP-a, 89 prej të cilëve u kthyen mbrapsht për nivelin e ulët të fondit të pagave të deklaruara.
Në muajt e parë të sezonit turistik, ishin më shumë se 3800 subjekte në Durrës, apo një e treta e të gjithë bizneseve që ushtrojnë veprimarinë ekonomike në këtë qark, që u kontrolluan dhe monitoruan nga zyra. Më shumë se gjysma nuk nuk kanë prerë asnjë faturë fiskale, edhe pse lehtësitë fiskale të ndërmarra nga qeveria nuk i ngarkojnë me taksa subjekte që kanë xhiro deri në 14 milionë lekë. Në vitet e kaluar informaliteti në turizëm i ka kushtuar qeverisë jo më pak se 30 milionë euro. Sa do të jetë informaliteti dhe humbjet tatimore këtë vit, kur edhe kontrollet tatimore, sipas strategjisë së re të tatimeve, nuk i shqetësojnë subjektet e akomodimit dhe të shërbimit turistik?
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




