Dule: Respektimi i të drejtave të minoritetit, jo prioritet për Qeverinë

Politikë | 5 vite më parë

Deputeti i opozitës, Vangjel Dule deklaroi sot në seancën plenare të Kuvendit se respektimi i të drejtave të minoritetit dhe lirive të tyre nuk ekziston në axhendën e prioriteteve të kryeministrit. Ky qëndrim vjen pasi Kryeministri Edi Rama nuk ka marrë sot pjesë ne seancën plenare, ndërkohë që ja ka deleguar interpelancën, ministres së Shtetit, Elisa Spiropali.

“Qëndrimi i sotëm i kryeministrit Rama, dëshmon se respektimi i të drejtave të minoritetit dhe lirive të tyre nuk ekziston në axhendën e prioriteteve të tij. Mirëpo për fatin tonë të mirë ekziston në axhendën e BE-së. Pardje ne nuk morëm datë për konferencën e parë ndërqeveritare, që urojmë ta marrim së shpejti dhe të kontribuojmë të gjithë që ta marrim së shpejti, por patëm konkluzione të qarta dhe midis tyre ishin dhe ato që kanë të bëjnë me të drejtat e pjesëtarëve të minoriteteve, me akte nënligjore që duhet të dalin, me implementimin e këtyre akteve ligjore, me regjistrimin e ardhshëm të popullsisë që duhet të zhvillohet konform standardeve që zhvillohet në të gjitha vendet demokratike, çështjen e pronave dhe respektimin e kësaj të drejte të shenjtë. Pra, kuadri i të drejtave të minoriteteve nis që nga ministria e Marrëdhënieve me Parlamentin, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme dhe çdo ministri tjetër dhe ky debat nuk mund të bëhet i fragmentarizuar, mund të bëhet vetëm me atë të cilit i jam drejtuar, me kryeministrin Rama dhe nuk e pranoj zhvillimin e kësaj interpelance”, tha Dule.

Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule kishte kërkuar një interpelancë me kryeministrin Edi Rama që në objekt kishte politikat e qeverisë në lidhje me respektimin e të drejtave të minoriteteve.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme