Durrës/ Trafik pistoletash me furgon drejt Anglisë, gjenden 8 pistoleta të fshehura poshtë tavolinës! Në pranga shoferi

Aktualitet | 4 vite më parë

Tetë armë zjarri janë sekuestruar nga Policia në Portin e Durrësit, të cilat do të trafikoheshin me furgon drejt Anglisë. Nëpërmjet një njoftimi, Policia bën me dije se operacioni u zhvillua pasditen e së hënës (10 prill), ndërsa është arrestuar shoferi i furgonit, 35-vjeçari Jetmir Koloshi.

Pas kontrollit të furgonit, Policia gjeti 8 pistoleta, krehra me municion luftarak dhe aksesorë të ndryshëm armësh, të cilat ishin fshehur poshtë një tavoline të përshtatur.

35-vjeçari, banues në Tiranë, është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.

Strukturat hetimore të DVP Durrës dhe ato të Departamentit të Policisë Kriminale, në bashkëpunim me SPAK-un, po vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për zbardhjen e plotë të këtij rasti të trafikimit të armëve të zjarrit drejt Anglisë, si dhe për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme