E Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë: Shqipëria ka ecur përpara në luftën kundër korrupsionit

E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn ka vlerësuar punën e SPAK me në krye Altin Dumani, si dhe të gjithë aktorët e tjerë që kontribuojnë për drejtësinë e re.
“Lufta kundër korrupsionit kërkon vërtet një transformim në qasjen dhe mentalitetin e dikujt…Një gjë që më është bërë e qartë është se kur njerëzit mendojnë kundër korrupsionin, mendojnë SPAK-un. Kjo tregon ndikimin që SPAK-u ka pasur, ndaj kjo është një gjë e mirë. Por mendoj se zoti Dumani do të ishte personi i parë që do të thoshte se SPAK-u nuk vepron i vetëm. Çdo sukses që ata kanë në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve është për shkak të të gjithë të tjerëve në peizazhin e drejtësisë. Dhe më e rëndësishmja, sepse është pritshmëria që qytetarët shqiptarë kanë tani për qeveritarët e tyre”, tha Nancy VanHorn .
Po ashtu, e Ngarkuara me Punë e SHBA, i bëri thirrje të rinjve të jenë të vendosur ndaj luftës së korrupsionit, për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.
“Dëshiroj të reflektoj për pjesën e fundit, rolin që ka çdo qytetar në këtë luftë. Sidomos të rinjtë, sepse lufta kundër korrupsionit është në të vërtetë lufta për të ndërtuar një të ardhme për Shqipërinë, ku e shihni veten të qëndroni në këtë vend dhe të zhvilloheni këtu”, tha ajo.
E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn, mori pjesë në nisjen e projektit “Integrity Chronicles” të ish-pjesëmarrëses në programin IVLP, Irena Xhafa, së cilit iu bashkua Ministrja për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni.
Projekti, i çelur në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, mbështetet nga Çmimi Impact IVLP i Departamentit të Shtetit të SHBA në partneritet me Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe AntiKorrupsionin.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




