E para në karrige me rrota, inxhinierja gjermane fluturon me misionin suborbital të Blue Origin

Botë | 10 muaj më parë

Një inxhiniere gjermane ka hyrë në histori duke u bërë personi i parë në karrige me rrota që fluturon në hapësirë.

Michaela Benthaus udhëtoi me misionin suborbital New Shepard të kompanisë Blue Origin nga Teksasi Perëndimor. Fluturimi zgjati rreth 10 minuta dhe kapsula kaloi vijën Karman, kufirin e njohur ndërkombëtarisht të hapësirës.

Ajo u shoqërua nga Hans Koenigsmann, drejtues i SpaceX, i cili ndihmoi në organizimin dhe sponsorizimin e këtij udhëtimi. Çmimi i biletave nuk u bë publik nga kompania.

Blue Origin njoftoi se u nevojitën vetëm disa përshtatje të vogla, pasi kapsula ishte projektuar që në fillim me aksesueshmëri.

Inxhinieri i kompanisë, Jake Mills, tha se ky dizajn e bën hapësirën më të arritshme për një gamë më të gjerë njerëzish. Benthaus, 33 vjeçe, kishte përjetuar më herët mungesën e peshës dhe kishte marrë pjesë në misione hapësinore të simuluara.

Ajo u shpreh se nuk e kishte menduar kurrë se do të fluturonte në hapësirë, por e pa këtë si një mundësi reale edhe për persona me aftësi të kufizuara. Pas një aksidenti në çiklizëm malor, ajo përdor karrocë me rrota dhe thotë se bota mbetet ende e vështirë për t’u aksesuar.

“Nëse duam një shoqëri gjithëpërfshirëse, duhet të jemi të tillë në çdo pjesë të saj”, tha ajo në një video të publikuar nga kompania.

Ky ishte fluturimi i 16-të me ekuipazh i Blue Origin, në një kohë kur kompanitë private po konkurrojnë për epërsi në hapësirë.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme