EANA: Mbështesim fuqimisht pavarësinë e agjencisë sllovene të lajmeve, STA

Aleanca e Agjencive Europiane të Lajmeve, EANA, ku Agjencia Telegrafike Shqiptare është anëtare me të drejta të plota, tha me anë të një deklarate për shtyp se shpreh mbështetjen e saj të plotë për pavarësinë e agjencisë sllovene të lajmeve, STA.
“Duke vërejtur presionin e ushtruar mbi anëtaren tonë, agjencinë sllovene të lajmeve, STA, së cilës po i shkurtojnë së tepërmi, madje edhe duke i ndaluar të ardhurat e saj nga kontratat e shërbimit publik me Zyrën sllovene të Komunikimit Qeveritar (UKOM), në pronësi të shtetit, EANA shpreh mbështetjen e fuqishme për pavarësinë e saj”, thuhet në deklaratë.
“Ne nxisim qeverinë sllovene që të sigurojë se çdo lëvizje e mëtejshme kundër STA, që do të ndryshonte rrjedhën e punës, reputacionin dhe biznesin e agjencisë sllovene të lajmeve, të marrë fund”, shtohet në të.
“Mediet janë themeli i demokracisë dhe agjencitë e lajmeve janë shtylla kurrizore e mediave të lira në të gjithë botën. Për më tepër, agjencitë kombëtare të lajmeve përfaqësojnë një nga zërat më të rëndësishëm të vendeve të tyre përkatëse në botë”, theksohet në deklaratë.
“Kjo është arsyeja pse, veçanërisht gjatë periudhave të krizave si ato që po kalojmë të gjithë tani, ruajtja e lirisë së këtyre zërave ka rëndësinë më të madhe si për mjedisin e medias ashtu edhe për ecjen përpara të shoqërive demokratike. STA duhet të vazhdojë të funksionojë si një agjenci kombëtare e pavarur dhe e besueshme e lajmeve. Kontributi i saj në demokracinë sllovene duhet të mbështetet, në vend që të pengohet nga autoritetet përkatëse”, përfundon deklarata e EANA-s.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




