Egnatia-Teuta në RTSH, Dede: Një ndeshje e zakonshme e kampionatit

Abissnet Superiore | 52 minuta më parë

Trajneri i Egnatias, Nevil Dede ka folur për mediat në prag të ndeshjes kundër Teutës, që do të luhet nesër në orën 18:30 në Rrogozhinë dhe do të transmetohet në RTSH Sport. Tekniku vlerëson kundërshtarin, por thekson se skuadra e tij është gati për të kaluar me sukses këtë sfidë.

“Mendoj se Teuta ka një organizim të ri këtë sezon. Ka një organizim të fortë dhe një mbështetje shumë të madhe. I përgëzoj për këtë. Çdo klub shqiptar meriton të ketë një organizim dhe një mbështetje të tillë, siç i kanë ata. Sa i përket përballjes mes vendit të parë dhe vendit të dytë, kjo përbën më shumë lajm nga pikëpamja mediatike. Për mua, është një ndeshje e zakonshme e kampionatit.

Kampionati shqiptar është një maratonë e gjatë dhe kundërshtari i radhës është një tjetër pengesë që duhet kaluar. Këtë herë është Teuta, që e meriton vendin e parë. Besoj se grupin e kemi në rregull dhe gjendja e lojtarëve është e mirë. Nuk kemi asnjë dëmtim dhe, ajo që është më e rëndësishmja, djemtë janë në gjendje shumë të mirë fizike. Ky fakt më gëzon pa masë.

Jemi një grup dhe jam shumë mirënjohës ndaj djemve, të cilët, së bashku me ne, po shkruajnë një histori të madhe në futbollin shqiptar. Nuk besoj se deri më sot ka pasur një tjetër skuadër që ka arritur të bëjë atë që po bëjmë ne, në kuptimin që synojmë të shkojmë edhe më përtej asaj që kemi arritur deri tani, të cilën e kemi merituar plotësisht. Sa i përket kampionatit, besoj se edhe aty do të jemi gjithmonë versioni ynë më i mirë.

Mendoj se djemtë janë gjithmonë gati, edhe në ato raste kur nuk marrim rezultatin që dëshirojmë apo atë që, sipas mendimit tim, e meritojmë. Në fund të fundit, kampionati është i rëndësishëm për ne, ashtu siç është edhe Liga e Konferencës. Por ajo që për mua ka më shumë rëndësi se gjithçka tjetër është fryma që ekziston brenda grupit dhe mënyra se si mendojmë të gjithë së bashku si skuadër”, ka thënë mes të tjerash Dede.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme