Ekskluzivisht për RTSH / Drejtuesi i Skënderbeut rrëfen dhunën në Fushë Krujë, Gjanci: Një ngjarje e paprecedentë, jemi të shokuar

Në një intervistë të dhënë për emisionin “Supergol” në RTSH, drejtori sportiv i Skënderbeut, Ardi Gjanci, ka treguar atë që ka ndodhur ditën e sotme në Fushë Krujë, aty ku do të luhej ndeshja Iliria-Skënderbeu, që më pas u shty nga FSHF.
“Ishte një situatë e paparashikueshme, e paprecedentë, që nuk e prisnim dhe nuk e imagjinonim. Dëgjoj disa zhurma drejt dhomave të zhveshjes, vrapoj të shoh dhe 4 lojtarë tanë ishin dhunuar nga lojtarët dhe stafi i Ilirisë. Nuk e kishim imagjinuar diçka të tillë. Tension në tribuna ka pasur edhe në ndeshjen e parë në Korçë, por nuk e prisnim këtë ngjarje.
Kam 6 vjet në botën e futbollit dhe asnjëherë nuk e kam hasur diçka të tillë. Një ngjarje e paprecedentë. Futbollistët tanë kanë dhënë deklarata në policinë e shtetit për këtë ngjarje. Në deklaratat për policinë, futbollistët tanë i kanë treguar me emra dhunuesit. Policia ishte prezentë, por po merrej më shumë me tifozët, që të mos kishte probleme.
Nasr është sulmuar i pari në dhomat e zhveshjes dhe më pas kishte dhunë fizike. Trajneri Gjoka ka ndërhyrë për të ulur tensionet. I pari është shëndeti, më pas futbolli. Nuk mund të luanim në ato kushte. Një ngjarje e paprecedentë, jemi të shokuar”, ka thënë për RTSH, drejtori sportiv i Skënderbeut.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




