Ekuador, arrestohen 6 kolumbianë për vrasjen e kandidatit presidencial, dhuna po terrorizon gjithë kombin

Botë | 3 vite më parë

Transformimi i Ekuadorit në një qendër kryesore të trafikut të drogës dhe rritja e dhunës trevjeçare që pasoi, po rëndon mbi kombin pas vrasjes së një kandidati presidencial, puna e jetës së të cilit ishte lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

Gjashtë kolumbianë u arrestuan të enjten në lidhje me të shtënat me armë zjarri ndaj, Fernando Villavicencio një ditë më parë në kryeqytetin, Quito. 

Ai nuk ishte kandidati kryesor në garë, por vrasja e tij në mes të ditës më pak se dy javë para zgjedhjeve speciale presidenciale nënvizoi sfidën me të cilën do të përballet lideri i ardhshëm i Ekuadorit në çdo përpjekje për të frenuar bandat dhe kartelet, aktivitetet e të cilave kanë marrë mijëra jetë.

Një raport i arrestimit të 6 kolumbianëve i shqyrtuar nga Associated Press tregoi se burrat u kapën duke u fshehur në një shtëpi në Quito. 

Oficerët e rendit, sipas raportit, sekuestruan katër armë gjahu, një pushkë 5.56 mm, municione dhe tre granata, si dhe një automjet dhe një motoçikletë.

Ministri i Brendshëm i Ekuadorit, Juan Zapata e përshkroi vrasjen si një “krim politik të natyrës terroriste” që synon sabotimin e zgjedhjeve të 20 gushtit. 

Raporti i policisë nuk thotë nëse kolumbianët janë anëtarë të një grupi kriminal. Por Zapata, i cili konfirmoi arrestimet e disa të huajve pa dhënë kombësitë e tyre, tha se të dyshuarit ishin të lidhur me krimin e organizuar.

Villavicencio, 59 vjeç, kishte thënë se ishte kërcënuar nga bashkëpunëtorët e kartelit Sinaloa të Meksikës, një nga grupet ndërkombëtare të krimit të organizuar që tani vepron në Ekuador. 

Ai tha se fushata e tij përfaqësonte një kërcënim për grupe të tilla.

“Populli ekuadorian po qan dhe Ekuadori është plagosur për vdekje,”- tha Patricio Zuquilanda, këshilltari i fushatës së Villavicencio.

Me gati 640 kilometra vijë bregdetare në Paqësor, me porte për anijet dhe eksportet kryesore, Ekuadori është kthyer nga trafikantët ndërkombëtarë nga një lojtar i vogël në biznesin e drogës në një qendër të madhe rajonale për kontrabandën e kokainës.

Një luftë intensive për pushtet dhe territor që nga pandemia, ka bërë që kartelet e drogës të luftojnë mes tyre dhe të rekrutojnë bandat locale, madje të rekrutojnë edhe fëmijë, duke i lënë ekuadorianët të zhyten në dhunë të paprecedentë.

“Ekuadori ka fatkeqësinë gjeografike që është i vendosur mes Kolumbisë dhe Perusë, dy prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë, dhe në themel të gjithë kësaj është edhe një shkallë e caktuar dobësie institucionale në gjyqësor, polici dhe ushtri,”- tha Cynthia Arnson, një gazetare e shquar në Qendrën Ëilson me bazë në Uashington dhe një ekspert e Amerikës Latine.

Policia Kombëtare e vendit numëroi 3,568 vdekje të dhunshme në gjashtë muajt e parë të këtij viti, shumë më shumë se 2,042 të raportuara gjatë së njëjtës periudhë në 2022. Ai vit përfundoi me 4,600 vdekje të dhunshme, më e larta në histori të vendit dhe dyfishin e totalit të 2021-it. Apnews

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme