Ekzekutimi i Edmond Papës në Tiranë, arrestohet në Memaliaj autori Andrew Bode

Aktualitet | 2 vite më parë

Autori i vrasjes së biznesmenit Edmond Papës është vënë në pranga, pasi u gjet i fshehur në një banesë në Memaliaj. Polica e Gjirokastrës  dhe forcat RENEA pas marrjes së informacioneve identifikuan dhe kapën autorin Andrew Bode alias Edvin Bode, 45 vjeç, i cili fshihej në banesën e mikut të tij në Memaliaj.

Në pranga përfundoi edhe miku i tij 42-vjeçari Julian Kalemi, i cili ka strehuar shtetasin në kërkim. Gjykata ka caktuar ndaj Andrew Bode në masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Më 16 dhjetor të 2022, ku Andrew Bode në bashkëpunim me 2 të tjerë ka ekzekutuar biznesmenin Edmond Papa, 49 vjeç. Ngjarja ndodhi në një lokal në zonën e Selitës, ku Papa u qëllua me 7 plumba. Ai ishte pronar i një hoteli në Sarandë dhe ka disa prona në zonën e Ksamilit.

Vrasja e Edmond Papës dyshohet se ka ndodhur si hakmarrje pas vrasjes së Aleksandër Sadikajt. Mësohet se shkaku i ekzekutimit ka qenë prishja e pazareve të drogës. Vrasja e Papës ka ardhur si kundërpërgjigje e një eliminimi mafioz që i është bërë një kundërshtarit të tij në Tiranë, Aleksandër Sadikajt.

Gjithashtu në kuadër të operacionit  “Sundimi i ligjit” është arrestuar edhe 52-vjeçari Adriatik Kalemi, i afërmi i Julian Kalemit, pasi iu gjet në banesë arsenal armësh dhe shuma të mëdha parash.

“Gjatë kontrollit në banesë, ku iu gjetën 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarak, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë”, njofton policia.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme