Emigrantët ilegalë në Britani/ Shqiptarët kryesojnë me kërkesat për azil, por pranimet minimale

Botë | 3 vite më parë

Numri i kërkesave për azil ekonomik nga shtetasit shqiptarë në Britaninë e Madhe mbetet ende i lartë, edhe pse shifrat po priren drejt uljes.

Bazuar në bilancin e raportuar nga Ministria e Brendshme britanike, numri i azilkërkuesve të rinj nga Shqipëria arriti 11 790 në fund të qershorit 2023 në raport me një vit më parë.

Ndërkohë përgjigjja e autoriteteve ndaj kërkesave për azil nga shqiptarët u ul nga 19% në 4%, duke bërë që vetëm pak personave t’u njihej statusi i azilantit.

Në rastin e aplikantëve meshkuj, përqindja e përgjigjeve pozitive zbriti në 2%, ndërsa gratë dhe fëmijët shqiptarë ishin më të favorizuar për marrjen e statusit të azilantit, përkatësisht me 55% dhe 35%.

Sipas ministrisë britanike, ndryshe nga kombësitë e tjera, refuzimi i kërkesave për azil për shqiptarët ishte në pragun 79%, ndërkohë që për kombësitë e tjera ky nivel shënoi 21% në harkun vjetor qershor 2022–2023.

Prej vitit të kaluar, qeveria shqiptare ka një marrëveshje dypalëshe me qeverinë britanike për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Brendshme britanike, ardhja e shqiptarëve me barka ilegalisht mbetet problematike dhe shumica e shqiptarëve që e zgjedhin këtë rrugë janë meshkujt.

Krahasuar me vitin 2021, numri i shtetasve shqiptarë të ardhur me barka në Britani është më i ulët sesa gjatë harkut kohor qershor 2022 deri në fillimin e vitit 2023.

Nga kombësitë e tjera që kërkuan azil përgjatë periudhës qershor 2022–2023, të dytët renditen shtetasit nga Afganistani, Irani, India dhe Bangladeshi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme