Energjia, vështirësi në blerje nga OSHE

Të gjitha bursat e energjisë shënojnë rritje të paparë të çmimit të energjisë elektrike. Operatori shqiptar i shpërndarjes së energjisë elektrike, që harxhoi 120 milionë Euro në vitin e kaluar, pritet të ndodhet përpara një situate të re në importet e energjisë. Çmimet e importit duken të papërballueshme për financat e OSHEE. Materiali është përgatitur nga gazetari Bardhi Sejdarasi.
Vera ka sjellë për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) më shumë blerje energjie në tregun e parregulluar për të plotësuar nevojat për konsum.
Gjatë qershorit dhe korrikut janë hapur disa procedura të cilat parashikonin sigurimin e energjisë për muajin e shtatë të këtij viti dhe që në total kanë akumuluar një vlerë blerjeje prej 5.2 milionë euro. Kjo i përgjigjet një sasie energjie mbi 55 mijë MWh, çka bën që çmimi mesatar me të cilin është siguruar kjo energji të jetë rreth 96 euro/MWh.
Shikoni këtë hartë çmimesh të energjisë elektrike të siguruar nga RTSH në ditët e para të muajit gusht.

Sikundër vihet re, me çmimin e qershor-korrikut, OSHEE mund të blejë energji elektrike vetëm në Gjermani, Belgjikë apo Hollandë. Ndërsa në tregun rajonal nga ku sigurohet blerja e energjisë për Shqipërinë çmimi nga 120, 76 Euro/Megavat orë në Hungari shkon në 154 Euro për Megavatorë në Greqi.
Një rritje e tillë e çmimit për një megavatorë duket e papërballueshme për financat e kompanisë shqiptare. Ndryshimi i çmimit dhe nevoja për energji elektrike në kushtet e motit të thatë dhe të konsumit të tejrritur të energjisë elektrike, mund të kërkojë financim shtesë të kompanisë nga buxheti i shtetit, që do të thotë një tjetër akt normativ, pas katër akteve të hartuara nga fillimi i vitit 2021.
Në 2020, varësia e OSHEE-së për të plotësuar nevojat për konsum në vend, ishte në një pjesë të madhe tek importet që regjistruan një vlerë mbi 120 milionë euro. Kjo e kufizoi kompaninë në kryerjen e investimeve, madje një pjesë e planit u rishikua për shkak të pamundësisë së zbatimit, në kushtet kur edhe pandemia e COVID-19 preku lehtë arkëtimet.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike parashikon që edhe në gusht të ketë blerje nga tregu për të plotësuar nevojën për konsum dhe kjo duket edhe nga një procedurë e fundit e hapur që kërkon blerje energjie për periudhën 1-31 gusht.
OSHEE për disa muaj arriti të siguronte energji në sasi të konsiderueshme edhe nga prodhuesit me përparësi të energjisë që janë ato hidrocentrale me kapacitet deri në 15MW, për të cilat kompania ka detyrimin e blerjes sipas çmimit që caktohet çdo vit nga Enti Rregullator i Energjisë dhe që ka në bazë çmimin nga bursa hungareze. Rritja e bursës në Hungari do të thotë edhe rritje e çmimit të energjisë së shitur nga brenda vendit për 2021.
Një pjesë të energjisë OSHEE e siguron nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Kjo e fundit gjatë kësaj periudhe është përfshirë në një fazë optimizmi duke shitur energji në pik dhe duke blerë në jashtë orarit të pikut.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




