Erdogan thotë se është pajtuar me Putinin për zgjatjen e marrëveshjes për drithërat

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se ka arritur pajtim me presidentin rus, Vladimir Putin, që të zgjatet marrëveshja për
drithërat, njofton Radio Evropa e Lirë.
Kjo marrëveshje, që skadon më 17 korrik, mundëson eksportin e drithërave nga portet në Detin e Zi të Ukrainës.
Duke folur për gazetarët, Erdogan tha më 14 korrik se ka shpresë që marrëveshja të zgjatet.
Kjo marrëveshje është ndërmjetësuar vitin e kaluar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, disa muaj pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës.
Një ditë më herët, Komisioni Evropian tha se po ndihmon OKB-në dhe Turqinë që të zgjasin marrëveshjen dhe janë duke shqyrtuar “të gjitha mundësitë” në këtë drejtim.
Rusia vazhdimisht ka kërcënuar se nuk do ta vazhdojë marrëveshjen. Ajo ka paraqitur një sërë kërkesash, sikurse heqjen e kufizimeve ndaj
eksporteve bujqësore ruse dhe lidhjen e Bankës Bujqësore ruse në sistemin e pagesave SWIFT. Më herët gjatë javës, në përpjekje për zgjatjen e
marrëveshjes së drithërave, OKB i ofroi qasje Rusisë në sistemin SWIFT.
Marrëveshja për drithërat ka mundësuar lehtësimin e krizës globale ushqimore, që u përkeqësua pas bllokimit të porteve ukrainase për shkak të luftës.
Ukraina dhe Rusia janë ndër eksportueset më të mëdha të drithërave në botë.
( Marrë nga Radio Evropa e Lirë )
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




