Estonia fillon të heqë monumentet e luftës së ish- Bashkimit Sovjetik

Estonia ka vendosur të heqë nga vendet publike, monumentet e luftës së epokës sovjetike. Masa synon të parandalojë mobilizimin e më shumë armiqësive brenda shoqërisë estoneze, si dhe të shërojë “plagët e vjetra”, pas pushtimit rus të Ukrainës. Një tank ikonë T-34 në qytetin Narva, i cili kufizohet me Rusinë, po dërgohet në Muzeun e Luftës të Estonisë.
Narva është qyteti i tretë më i madh i Estonisë, ku 97% e popullsisë së saj prej rreth 60,000 qytetarësh, flasin rusisht. Tanku u mor sot nga një bazament dhe u ngarkua në një rimorkio ushtarake. Autoritetet thanë se po kufizonin aksesin e publikut në zonën përreth tankut, si dhe në monumenteve të tjera lokale. Estonia frikësohet se lufta e Rusisë në Ukrainë po nxit tensione në Narva.
Kryeministrja Kaja Kallas tha se qeveria e saj “nuk do t’i lejojë Rusisë mundësinë për të përdorur të kaluarën për të prishur paqen në Estoni”. “Duke marrë parasysh shpejtësinë e rritjes së tensioneve dhe konfuzionit rreth memorialeve në Narva, ne duhet të veprojmë shpejt, për të garantuar rendin publik dhe sigurinë e brendshme.”
Ministri i Jashtëm, Urmas Reinsalu, tha se monumente të tilla ishin ngritur për të lavdëruar pushtimin rus dhe për pasjë nuk kishin vend në “hapësirën publike të Estonisë”. Përveç tankut T-34, edhe varrezat e Luftës së Dytë Botërore do të zhvendosen, një çështje që qeveria e pranon se mund të krijojë tensione. Javën e kaluar, Rusia shprehu zemërim ndaj planeve të Estonisë.
“Lufta kundër historisë, për më tepër me një histori të përbashkët, si dhe asgjësimi e monumenteve për ata që shpëtuan Evropën nga fashizmi, është sigurisht skandaloze,” tha zëdhënësi i Presidentit, Vladimir Putin. Estonia ka anuluar edhe rreth 50,000 viza të lëshuara për shtetasit rusë.
“Duhet të pranojmë se shoqëria ruse, në përgjithësi, mban përgjegjësi morale për këto mizori, të cilat po ndodhin në tokën ukrainase”, tha Reinsalu. Letonia, Lituania dhe Republika Çeke, kanë ndaluar lëshimin e vizave për rusët. Finlanda ka reduktuar në 10%, numrin e vizave që lëshon për rusët. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




