Estonia ndalon kremtimet e 9 majit

Botë | 5 vite më parë

Estonia thotë se po i ndalon tubimet publike për festimet e Ditës së Fitores më 9 maj, ku njerëzit shfaqin simbole ushtarake, apo të flamujve rusë. 9 Maji festohet tradicionalisht nga popullsia e konsiderueshme ruse e vendit baltik për të kremtuar fundin e Luftës së Dytë Botërore.

“Shteti estonez deri më tani ka qenë tolerant ndaj ngjarjeve të 9 majit, por aktivitetet aktuale të Rusisë në Ukrainë përjashtojnë tubimet publike në Estoni, që shprehin mbështetje për shtetin agresor dhe shfaqin simbole lufte”, tha të mërkurën shefi i policisë dhe rojeve kufitare, Elmar Vaher.

Policia tha të mërkurën se përkujtimi i të vrarëve në Luftën e Dytë Botërore nuk ishte i ndaluar, por “nuk duhet të përdoret për të nxitur dhunën dhe urrejtjen midis njerëzve”.

Ndër simbolet e ndaluara janë flamujt e Bashkimit Sovjetik dhe Rusisë, uniformat ushtarake sovjetike dhe shiritat portokalli dhe të zinj të veshur në Rusi për të shënuar fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Ndalimi është në fuqi deri më 10 maj dhe vlen për kryeqytetin Talin dhe zonat përreth.

Banorët rusë përbëjnë rreth 25% të popullsisë 1.3 milionëshe të Estonisë dhe ata tradicionalisht mblidhen për të vendosur lule më 9 maj në statujën e Ushtarit të Bronztë të Talinit, që përkujton trupat e rëna të Ushtrisë së Kuqe në betejat e Luftës së Dytë Botërore në Estoni.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme