EU4Culture rikthen në jetë sitet kulturore, media eksploron restaurimet dhe ndikimin e investimeve në kulturë
Trashëgimia kulturore nuk ruan vetëm kujtesën e një vendi, por mund të kthehet edhe në një motor zhvillimi. Restaurimi i monumenteve historike po i rikthen ato në qendra të vizitueshme, duke nxitur turizmin, ekonominë lokale dhe jetën kulturore të komuniteteve.
Për të parë nga afër këtë transformim, përfaqësues të mediave zhvilluan një tur dyditor në disa prej siteve të restauruara në kuadër të programit EU4Culture, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Nga Tirana në Durrës, Bashtovë dhe Kavajë, gazetarët vizituan monumente dhe institucione kulturore që kanë përfituar nga ky program.
Ndalesat përfshinë Mozaikun në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, Teatrin Kombëtar të Kukullave, Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, Qendrën e Librit “Sotir Kolea”, Kullën Veneciane dhe Hamamin e Durrësit, Muzeun Arkeologjik dhe Muzeun Etnografik të Durrësit, Kalanë e Bashtovës, si edhe Muzeun Etnografik të Kavajës.
Gjatë vizitave, drejtuesit dhe specialistët e këtyre institucioneve prezantuan punën e kryer për restaurimin e objekteve, sfidat e procesit dhe ndikimin që këto investime kanë sjellë për komunitetet.
“Kjo arritje shënon përfundimin e programit #EU4Culture, një nga investimet më të mëdha të BE-së në trashëgiminë kulturore në Ballkanin Perëndimor, i ofruar nëpërmjet një partneriteti të fortë midis Bashkimit Evropian, UNOPS dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit”.
Në të gjithë Shqipërinë, programi ka restauruar dhe rijetësuar 23 objekte të trashëgimisë kulturore, duke gjeneruar më shumë se 64,000 ditë pune, përfshirë inxhinierë, arkitektë, studiues, akademikë, sektorin privat, institucione kombëtare dhe komunitete të angazhuara nëpërmjet iniciativave lokale.
Përveç ruajtjes së vlerave historike, restaurimet kanë krijuar mundësi të reja për zhvillimin e turizmit kulturor, kanë mbështetur ekonominë lokale, kanë gjeneruar vende pune dhe u kanë rikthyer qytetarëve hapësira të rëndësishme për kulturë, edukim dhe aktivitete artistike.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




