Evakuimet nga Kabuli, SHBA, avionë luftarakë për të monitoruar situatën

Pentagon ka lajmëruar se avionët luftarakë amerikanë po fluturojnë mbi Kabul për të ofruar siguri për operacionet e evakuimit që po zhvillohen në kryeqytetin afgan. Avionët e armatosur nuk kanë kryer “fluturime të ulëta” mbi qytet, por ka kryer vetëm operacione “mbikëqyrëse”, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.
Gjeneralmajori i ushtrisë amerikane, William Taylor tha se dhjetëra porta të aeroportit në Kabul tani janë të hapura dhe deri më tani, rreth 8.000 persona janë evakuuar. Ai tha se tani ushtria ka më shumë se 5.200 trupa në aeroportin e Kabulit, që po ndihmojnë në procesin e evakuimit.
Presidenti amerikan Joe Biden u zotua se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë në Afganistan derisa të evakuohen të gjithë qytetarët amerikanë që duan të largohen, edhe nëse kjo nënkupton që do të shkelet afati i 31 gushtit, kur është thënë se do të përfundojë tërheqja e trupave nga Afganistani, ndërsa këmbënguli në vendimin e tij për t’u tërhequr nga ky vend, pavarësisht kaosit të shkaktuar.
Ndërkohë, edhe Ministrat e Jashtëm të G7 përmes një deklarate të përbashkët u kanë bërë thirrje talibanëve që të respektojnë angazhimet e tyre për daljen e sigurt nga vendi të të gjithë afganëve që duan të largohen.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




