Fatmir Xhafaj zbërthen Reformën në Drejtësi

Politikë | 5 vite më parë

Sot mbushen plot 5 vjet që nga miratimi i Reformës në Drejtësi, e cila po sjell revolucion në drejtësinë shqiptare dhe veçmas në sistemin gjyqësor. Rreth 40 % e kushtetutës u ndryshua me votimin e vitit 2016 në parlament, duke i hapur rrugë një sistemi që shkaktoi furtunë mes gjyqtarëve dhe prokurorëve. Deputeti socialist Fatmir Xhafa, ish ministër i drejtësisë  dhe i punëve të mbrendshme, u ngarkua të drejtonte  hartimin e Reformës në Drejtësi. Në një intervistë dhënë gazetares së RTSH Sonil Agostini ai sjell vlerësimet e tij.  

“Çdo gjyqtar, prokuror dhe çdo institucion është jashtë ndikimit të politikës, jashtë interferencave, mekanizmave ndërhyrës në sistem. Sistemi sot drejtohet përmes institucioneve të veta. Gjyqtari dhe prokurori që deri dje jo vetëm që ishte i varur nga pushteti politik, ndikimi politik në karrierën e tij apo disiplinimin e promovimin e tij, ishte i varur edhe nga eprori i tij. Sot prokurori është i pavarur në procesin investigativ, e hetimit dhe vendimmarrjes së tij. Për të shkuar në Gjykatën e Lartë nuk duhet të shkosh te Presidenti, Kuvendi apo partia politike që ka qeverisjen e vendit. Mjafton të konkurrosh konform kritereve ligjore dhe profesionale dhe të bësh karrierë dhe të jesh i pavarur në ushtrimin e detyrës”, deklaroi Xhafaj në intervistë për RTSH-në.

Ai theksoi se reforma kishte kundërshtarë, por falë presionit publik dhe atij ndërkombëtar e kishin të pamundur të ndërhynin.

“E kam thënë atëherë dhe e ritheksoj se që në atë kohë kishte njerëz që nuk e dëshironin këtë reformë, aq më tepër kur e panë të formësuar se ku do të shkonte ajo. Por, ishin të pamundur për ta ndaluar për shkak të presionit të madh të opinionit publik, shoqëror e ndërkombëtar. Jemi të gjithë dëshmitarë të atij momenti e presioni të jashtëzakonshëm për të garantuar ato 140 vota”, deklaroi Xhafaj.

I pyetur nga se duhet të kenë frikë sot gjyqtarët e prokurorët, nga vetë sistemi i drejtësisë, ku bëjnë pjesë, publiku apo presioni i politikës, Xhafaj deklaroi se Kushtetuta nuk i lejon të ndikohen dhe të pranojnë asnjë lloj ndikimi të të tretëve, dhe aq më tepër të politikës.

“Unë e them shpeshherë me një fjalë: deri dje prokurorët e gjyqtarët ishin tej mase të varur nga politika, sot ata janë, vetëm nëse duan të vetëvaren. Kushtetuta, ligji nuk i lejon të ndikohen dhe të pranojnë çdo lloj ndikimi të të tretëve dhe jo më të politikës në veprimtarinë e tyre”, shprehet Xhafaj.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme