FBI bastis shtëpinë e gazetares, hetim për sekrete shtetërore, sekuestrohet telefoni i reporteres së “Washington Post”

Një përshkallëzim i ri në marrëdhëniet mes Shtëpisë së Bardhë dhe medias amerikane është shënuar këtë të mërkurë. Agjentët e FBI-së kanë ushtruar kontroll në shtëpinë e gazetares së njohur të Washington Post, Hannah Natanson, duke i sekuestruar telefonin dhe orën elektronike.
Departamenti i Drejtësisë konfirmoi se kontrolli lidhet me një hetim të gjerë mbi rrjedhjen e informacioneve të klasifikuara, ku është përfshirë një kontraktor i Pentagonit.
Sipas dokumenteve gjyqësore, në qendër të hetimit është Aurelio Perez-Lugones, një administrator sistemi në Maryland. Ai akuzohet se ka nxjerrë në mënyrë të paligjshme raporte të klasifikuara “SEKRET” nga vendi i punës, disa prej të cilave u gjetën gjatë kontrollit në makinën e tij dhe madje edhe në një kuti dreke.
Qëndrimi i Shtëpisë së Bardhë
Administrata Trump ka reaguar ashpër, duke e cilësuar rrjedhjen e informacionit si një kërcënim direkt për sigurinë kombëtare.
“Presidenti Trump ka tolerancë zero për këtë dhe do të vazhdojë të godasë në mënyrë agresive këto akte të paligjshme,” deklaroi Karoline Leavitt, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë.
Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, theksoi se gazetarja po merrte informacione të vjedhura, duke shtuar se administrata nuk do të tolerojë veprime që rrezikojnë “heronjtë tanë ushtarakë”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




