FCC i ndalon kompanisë kineze të komunikacionit të veprojë në SHBA

Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC) i Shteteve të Bashkuara i ka hequr lejen kompanisë shtetërore kineze të telekomunikacionit, China Telecom, që të operojë në Shtetet e Bashkuara, duke përmendur si arsye shqetësimet e sigurisë kombëtare.
Vendimi i së martës nga FCC-ja, agjencia rregullatore e të gjitha komunikimeve telefonike, të internetit dhe me video në Shtetet e Bashkuara, kërkon që filiali i kompanisë, China Telecom Americas, të ndërpresë të gjitha shërbimet brenda 60 ditëve, duke i dhënë fund operacioneve të saj 20-vjeçare në SHBA.
Agjencia tha se kontrolli i firmës nga qeveria kineze përbën “rrezik të konsiderueshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe rendit”, pasi i jep asaj mundësi qasjeje tek komunikimet e SHBA-së dhe ndërprerje të tyre dhe rrjedhimisht i hap rrugën përdorimit të informacionit “për spiunazh dhe aktivitete të tjera të dëmshme kundër Shteteve të Bashkuara.”
Një zëdhënës i kompanisë China Telecom, më e madhja e telekomunikacionit në Kinë, e quajti vendimin e FCC-së “zhgënjyes”, duke shtuar se kompania planifikon “të ndjekë të gjitha alternativat në dispozicion duke vazhduar njëkohësisht t’u shërbejë klientëve.”
Vendimi është masa e fundit e qeverisë amerikane për të kufizuar qasjen në teknologjinë dhe tregjet amerikane për kompanitë kineze të telekomunikacionit, që filluan gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump.
FCC-ja i përcaktoi kompanitë Huawei Technologies dhe ZTE si kërcënime të sigurisë kombëtare vitin e kaluar, duke i ndaluar qasjen në të dhënat e Shteteve të Bashkuara për shkak të shqetësimeve se mund të përdornin rrjetin e ri 5G për të përgjuar amerikanët.
China Telecom dhe dy firma të tjera shtetërore, China Mobile dhe China Unicom, u përjashtuan nga bursat amerikane në fillim të këtij viti pasi ish-administrata Trump dha një urdhër që ndalonte amerikanët të investonin tek këto firma.
Disa informacione për këtë artikull janë marrë nga Associated Press, Reuters dhe Agence France-Presse.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




