Fest 64, anëtarja e jurisë Anila Basha: Sot është një mbrëmje festive, por edhe sfiduese për ne, me përzgjedhjen e 5 debutuesve për natën finale
Gazetarja Anila Basha, anëtare e jurisë së Festivalit të 64 të Këngës, ka treguar për sfidat dhe emocionet që do të sjellë Nata Nostalgjike.
Gjatë një interviste për “Tema e Ditës” në RTSH, znj.Basha tha se pas dy netësh të festivalit të fokusuara tek tekstet e këngëve, melodia, performanca dhe çdo detaji tjetër në skenë, juria do të zgjedh mbrëmjen e sotme 5 debutantët që do të konkurrojnë në natën finale.
“Sot është një natë speciale, ku pas dy netësh kemi qenë të përqendruar për të vlerësuar çdo detaj: tekstin, melodinë, muzikën, performancën dhe gjithçka tjetër në skenë. Sot jemi në një pikë ku do të zgjedhim 5 debutantët që kalojnë në finale. Për mua ishte një sfidë e vështirë, pavarësisht se brenda jurisë kemi ndarë disa role, duke pasur një përfshirje të plotë të fushave. Ne të gjithë plotësuam atë që na duhej për të zgjedhur më mirë 5 debutantët që do të garojnë në natën finale dhe në fund për çmimin e madh”, tha Basha.
Ajo vlerësoi edhe moderatorët e Festivalit të Këngës, Salsano Rrapi dhe Arilena Ara, ku sipas saj ishin dyshja më simpatike.
“Performancat e Salsano Rrapit dhe Arilena Arës ishin të jashtëzakonshme në skenë. Salsano ishte “sheqeri” i skenës me humorin e tij karakteristik, ndërsa Arilena surprizoi duke u bashkuar në mënyrë fantastike me orkestrën dhe skenografinë e RTSH-së, duke e bërë një zgjedhje shumë të mirë për natën. Skenografia ishte e jashtëzakonshme, dhe mënyra se si ishte vendosur orkestra e RTSH-së e bëri festivalin akoma më mbresëlënës”, tha ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




