Festat e fundvitit, kontrolle në Ersekë, sekuestrohen mbi 3 mijë kapsolla, procedohen dy pronaret

Aktualitet | 11 muaj më parë

Në prag të festave të fundvitit, Policia e Kolonjës ka intensifikuar masat për të parandaluar tregtimin e paligjshëm të lëndëve piroteknike, duke goditur dy raste në qytetin e Ersekës.

Si rezultat i kontrolleve të befasishme në subjekte tregtare, uniformat blu kanë zbuluar dy markete që shisnin lëndë piroteknike në kundërshtim me ligjin. Për pasojë, ka nisur procedimi penal për dy pronaret e këtyre bizneseve.

Policia bën me dije se materialet janë referuar në Prokurorinë e Korçës për dy shtetase, të cilat administronin marketet ku u gjet malli i ndaluar:

T. R., 67 vjeçe, banuese në Ersekë. Në marketin e saj u gjet sasia më e madhe e lëndëve të ndaluara, konkretisht 49 kuti me lëndë piroteknike, që përmbanin 2918 kapsolla.

Z. I., 56 vjeçe, banuese në Ersekë. Gjatë kontrollit në marketin e saj u gjetën 3 kuti me lëndë piroteknike, me rreth 170 kapsolla.

Në total, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 52 kuti me 3088 kapsolla, të cilat ishin destinuar për shitje tek qytetarët për festimet e fundvitit.

Autoritetet policore kanë paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë të jenë intensive në të gjithë qarkun për të garantuar sigurinë publike dhe për të ndaluar tregtimin e rrezikshëm të këtyre mjeteve nga subjekte të paautorizuara. Materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme