Festohet dita e Shën Kozmait, manastiri një prej thesareve të trashëgimisë kulturore

Aktualitet | 2 vite më parë

Besimtarët e krishterë sot kremtojnë ditën e Shën Kozmait, një nga shenjtorët të cilit i janë kushtuar më shumë kisha e manastire në mbarë vendin.

Prej mbrëmjes së kaluar, Manastiri i Shën Kozmait në Kolkondas, Libofshë është kthyer në vendin më të vizituar nga besimtarë e pelegrinazhe nga i gjithë Fieri dhe krahinat përreth.

Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit , Hirësia i Tij, imzot Nikolla (Hyka)drejtoi sot meshën në kishën e Shën Kozmait në Kolkondas të Libofshës në Fier.

Festa e Shën Kozmait që mbahet çdo 24 gusht, festohet nga besimtarë të shumtë.

Besimtarë të shumtë nga Myzeqeja dhe zona të tjera të vendit tonë, kishin mbushur që në datën 23 gusht ambientet e Manastirit, për të marrë pjesë në shërbesat dhe veprimtaritë adhuruese.

Në mbrëmje u krye Shërbesa e Mbrëmësores dhe Bekimi i Pesë Bukëve, si edhe Pasdarka e Madhe, nën kryesimin e Mitropolitit të Apollonisë dhe Fierit, Imzot Nikollës.

Në vijim pati veprimtari shpirtërore kryesisht për të rinjtë, por edhe për besimtarët e tjerë, me epiqendër jetën dhe predikimin e Shën Kozmait.

Gjithashtu, u fol edhe për veprën rigjallëruese të Kishës sonë Orthodhokse në dekadat e fundit.

Shen Kozmai është kthyer tani me një pike atraktive për turizmin kulturor pasi frekuentohet si nga vendasit besimtaret ortodokse por është përfshirë ne guidat turistike.

Në rrafshinën e ulët të Myzeqesë, jo larg nga Fshati Kolkondas dhe buzë Lumit Seman, i fshehur pas një kurore të gjelbër gjendet Manastiri i Shën Kozmait.

Si një nga thesaret e çmuara të trashëgimisë sonë kulturore, manastiri mendohet të jetë ndërtuar nga banorët e zonës me kontributin financiar të Ali Pashë Tepelenës. Sipas Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, ai u ngrit në kujtim të murgut Kozma, nga Etiolia, i cili i përshkoi dy herë këto krahina, në vitet 1777 dhe 1779.

Manastiri është një bashkim i strukturës për murgjit, 2 kishave dhe objekteve arkeologjike që janë ekspozuar në pjesë të ndryshme të tij, duke kulmuar me festimin e Ditës së Martirizimit të Apostullit Kozma.

Manastiri që mban emrin e shenjtorit është klasifikuar si monument i trashëgimisë kulturore që prej vitit 1963. “Shën Maria” është kisha më e vjetër që është konservuar si rrallë monumente në vend, duke ekspozuar ende afresket dhe basorelievet. Ngjitur me të ngrihet në gjendje shumë të mirë kisha e “Shën Kozmait”.

Që mbrëmjen e datës 23 gusht, kryet mbrëmësorja e shenjtorit në fshatin Mujalli, aty ku ai u martirizua, tek kryqi i ngritur në kujtim të shenjtorit.

Manastiri shërben si atraksion shpirtëror për besimtarët ortodoks dhe jo vetëm. Çdo 24 gusht aty kremtohet “Dita e Shën Kozmait” të Kolkondasit.

Sipas historisë së transmetuar nga Kisha Autoqefale Shqiptare, më 24 gusht të vitit 1779, Shën Kozmai u vra në fshatin Mujalli të Myzeqesë, nga njerëzit e Ahmet Kurt Pashës, sundimtarit të Beratit dhe Lumi Seman e dërgoi trupin e tij pranë vendit ku u ngrit manastiri, në fshatin Kolkondas dhe ai u varros pranë absidës të kishës së Shën Marisë.

Gjatë periudhës së diktaturës komuniste, manastiri u braktis dhe ato pak pjesë të konakëve, që kishin mbijetuar pas vërshimit të Lumit Seman në fillim të shekullit XX, u shkatërruan në vitin 1986.

Pas punimeve për restaurimin e kishës dhe të plotësimit të nevojave të saj, të kryera nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, manastiri rifitoi vlerat e tij dhe u kthye në një qendër pelegrinazhi.

 

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme